Skandal/ Zbulohet plani për rrëzimin e qeverisë Rama



Skandal/ Zbulohet plani për rrëzimin e qeverisë Rama

16:24 05/06/2020

I implikuar Ilir Kulla, këshilltar i Presidentit Meta dhe një ish-senator italian

Ky është ‘Pianeta Italia’, një portal që turbulloi 3 shtete. Shkruajti se 1300 kontenierë me plehra urbane e industriale u zhdukën në portin e Durrësit. Implikoi Shqipërinë, Italinë e Maqedoninë.

“Pianeta Italia” quhet edhe operacioni që ka zbuluar përfundimisht se këto lajme ishin të rreme, se qëllimi ishte rrëzimi i qeverisë Rama dhe se kush qëndronte pas tyre.

Gazeta italiane “Il Fatto Quotidiano”, referuar një hetimi të antimafias së Romës, ia atribuon këtë fushate ish-Senatorit Sergio De Gregorio dhe Ilir Kullës, këshilltarit të Presidentit Ilir Meta.

Hetimet në fjalë që çuan në pranga ish-senatorin dhe ish-gazetarin De Gregorio, i njohur për ndihmën në rrëzimin e qeverisë Prodi në vitin 2008 duke kaluar me partinë ‘Forza Italia’ të Berlusconi-t.

Ai, sëbashku me 8 persona të tjerë akuzohen për zhvatje dhe pastrim parash.

Gazeta shkruan se në vitin 2017 ish-senatori i partisë “Italianët nëpër bote” kishte financuar aktivitetet e Ilir Kullës, i cili nga ana e tij i kishte ngarkuar de Gregorios detyrën “për të organizuar një fushatë denigruese kundër qeverisë shqiptare” me qëllimin për ta rrëzuar atë.

Kjo është prapaskena e këtij operacioni. Hetimet e antimafias së Romës kanë zbuluar se ish-senatori i kishte dhënë Ilir Kullës 30 mijë euro, të cilat ia kishte marrë borxh pronarit të një lokali, të quajtur Eraldo Barleta.

Në një telefonatë të përgjuar më 30 Janar të vitit 2017, Barleta, teksa i kërkon borxhin, i thotë se Ilio, siç e thërriste ai Ilir Kullën, i kishte thënë se nuk i kishte marrë këto para.

Por siç rezulton nga përgjimet, lexohet në kërkesën e prokurorisë së Romës, Kulla i kishte dhënë një mandat De Gregorios për të organizuar, përmes njohurive të tij dhe mjeteve të komunikimit në dispozicion të tij, një fushatë mediatike denigruese për qeverinë shqiptare, me qëllimin që ajo të provokonte rënien e saj.

Vetë Ilir Kulla, thuhet në shkrimin e gazetës ‘Il Fatto Quotidiano’ që u referohet hetimeve të antimafias së Romës, kishte mbërritur në Itali pasditen e 26 Shkurtit 2017 në mënyrë që të ndiqte nga afër çështjen.

Fushatën, ish-senatori De Gregorio e nisi menjëherë më pas në portalin e tij ‘PianetaItaliaNews’.

Senatori italian kishte disa kompani jashtë Italisë, të cilat i përdorte për të ricikluar paratë që rridhnin nga aktivitete të paligjshme, si marrja e parave pronarëve të bareve e restoranteve nëpërmjet kërcënimit e shantazhit.

Në dosjen e antimafias së Romës theksohet se De Gregorio kishte marrë përsipër të ndikonte në situatën politike në Shqipëri me qëllimin për të përfituar më pas.

Lajmet e rreme të publikuara në portalin e tij ndikuan vërtet në acarimin e situatës politike në Shqipëri, me eksponentë të opozitës që akuzuan qeverinë për një mega-aferë korruptive.

Ajo që mbetet për t’u sqaruar tani është se kush e mandatoi Ilir Kullën me këtë mision, që përkoi me ngritjen e çadrës së opozitës para qeverisë, në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ para zgjedhjeve të 2017-s.

Tv Klan



Të ngjashme