Tregon një skenë filmi si ngjarje të vërtetë për të justifikuar dhunën e policisë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ka mashtruar publikisht parlamentin me një akt të paprecedentë.

Gjatë raportimit në Komisionin e Sigurisë Kombëtare për situatën e rendit në vend, ai është pyetur për dhunën e ushtruar nga disa efektivë të policisë gjatë ndalimit të një 15-vjeçari që kishte thyer rregullat e karantinës.

Në përpjekje për të justifikuar dhunën e uniformave blu ndaj të miturit, numri “një” i Policisë së Shtetit ka nxjerrë para Komisionit një video të Zaida Çobos nënës së 15-vjeçarit, për t’u provuar deputetëve se bëhej fjalë për një familje jo normale.

“Por a është në të vërtetët djali që i është bindur të gjithë thirrjeve të policisë siç pretendon mamaja. Do iu shfaq një video të mamasë së tij, që të shikoni se nga çfarë familje vjen. Kjo është mamaja e djalit me pistoletë në dorë. Për të thënë se nga çfarë familje vjen. Jo se dua të mbroj policinë, por duhet të jemi realistë dhe të ftohtë në gjykim”.

Por me këtë përpjekje, kreu i Policisë së Shtetit u bë autori i një skandali që nuk ka ndodhur kurrë më parë në kupolën e policisë.

Kjo pasi në videon e shfaqur prej tij nuk ka asgjë të vërtetë. Ajo është një skenë nga filmi “Dashuria s’mjafton”, ku Zaida Çobo ka luajtur rolin e një nëne. Kjo duket qartë edhe nga videot e publikuara prej saj në rrjetet sociale.

Çobo thotë për Televizionin Klan se pistoleta është lodër dhe se do të kallëzojë penalisht kreun e policisë për cënim të imazhit. 

“Ai ka thyer dinjitetin tim dhe nuk lejoj askënd të më thyejë dinjitetin. Me këtë deklaratë që ka bërë, duke hedhur baltë në fytyrën time, po në fytyrën time nuk hedh dot baltë ai, unë do të shkoj automatikisht në gjykatë, me avokatin tim dhe kam për ta hedhur në gjyq”.

Me këtë video, duke tentuar të linçojë publikisht një familje dhe një nënë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit mashtroi në fakt Kuvendin dhe opinionin publik dhe për më tepër tregoi se ka mungesë të theksuar të aftësisë profesionale, pasi, si kreu i uniformave blu ai ka të gjitha mjetet në dispozicion për të vërtetuar origjinalitetin e videos, të cilën e përdori për të denigruar dhe poshtëruar publikisht nënën e 15-vjeçarit.

Kur efektivë të thjeshtë janë flakur nga radhët e uniformave blu, vetëm për një gjest të pahijshëm në rrugë, çfarë duhet të ndodhë me kreun e Policisë së Shtetit që kapet në flagrancë duke mashtruar publikisht institucionin me të rëndësishëm të Republikës?

Tv Klan