Emisioni Stop denoncoi rastin skandaloz të Prokurorisë dhe të Gjykatës së Kukësit, që për shkak të gabimeve në hetim dhe detyrës së pakryer, një qytetar është arrestuar gabimisht dhe po mbahet prapa hekurave.

Është rasti i 61-vjeçarit Pal Përgjegaj, i cili akuzohet nga Prokuroria për kultivim kanabisi në Kukës.

Prova e vetme që Prokuroria e lidh është një numër telefoni. Por 61-vjeçari jeton prej vitesh në Itali dhe u arrestua sapo zbriti në aeroportin e Rinasit.

Vetë gazetarja e emisionit Stop bëri punën që në fakt duhet ta kishte kryer Prokuroria, atë të verifikimit të numrit të telefonit. Dhe rezultoi se numri i telefonit për të cilin Prokuroria e Kukësit thotë se ka përgjime, nuk i përket 61-vjeçarit të arrestuar, por një tjetër qytetari që ka të njëjtin emër Pal Përgjegaj, por gjeneralitete të tjera sa i përket emrit të babait dhe të nënës.

Nëse Prokuroria do ta bënte punën tamam, më së paku do të duhet të verifikonte numrin e telefonit në përgjim. Në këtë mënyrë, nuk do të mbahej në burg një person i pafajshëm.

Nga ana tjetër, nëse gjyqtari i parë, Florin Demollari, do të kërkonte verifikim të të dhënave, nuk do ligjëronte kërkesën për arrest me burg të bërë nga Prokuroria për këtë shtetas.

Dhe gabimi kalohet edhe nga 3 relatorët, Aulon Pasha, Enkeleda Dalipi dhe Ilir Përdeda, të cilët kanë lënë pas hekurave 61-vjeçarin që nuk ka lidhje me çështjen.

Ndërkohë, avokati Arben Llangozi shpjegoi të gjithë zinxhirin e neglizhencës, që nga hetimi i Prokurorisë e deri te vendimi i gjykatës.

Avokati Arben Llangozi: Organi i akuzës nuk ka verifikuar se kujt i përket ky numër telefoni për të cilin pretendohet se ka përgjime. Neni 228, duhet të ketë prova që të vërtetojnë fajësinë e një personi e më pas të caktohet një masë shtrënguese kundrejt tij, por gjykata çuditërisht e ka bërë këtë. Është bërë gabim nga organi i Prokurorisë që dhënë gjeneralitete të pasakta dhe personin e pasaktë në caktimin e masës, por ajo që është më e çuditshmja dhe që duhet menjëherë gjykata të merrte masa është verifikimi i kushteve të masës së sigurisë që është bërë gjatë gjykimit të çështjes. Në verifikimin e kushteve të masës së sigurisë, gjykata duhet të verifikonte se çfarë lidhje kishte personi i ndaluar me numrin e telefonit. Neni 245 i Kodit të Procedurës Penale përcakton qartë se vendimi i gjykatës duhet të përmbajë gjeneralitetet përkatëse dhe gjeneralitetet përkatëse të personit që ka kryer veprën penale duhet të lidhen me faktin penal. Kështu që gjykata nuk ka kryer veprimet e duhura. Pavarësisht se organi i akuzës ka bërë gabim dhe është detyrë e tyre që të bëjnë hetime të plota e të gjithanshme, por ajo që është më skandaloze dhe patjetër duhet të marri masa, mos bëhet noter i organeve të Prokurorisë, është gjykata që në rastin konkret nuk ka kryer detyrën e saj siç duhet.

61-vjeçari Pal Përgjegaj qëndron padrejtësisht në qeli prej më shumë se 11 ditësh, ndërsa më 2 Qershor ka seancën e radhës gjyqësore. /tvklan.al