Skandali në “Stop”, MSH kërkon shkarkimin e sanitares dhe hetim për rastin



Skandali në “Stop”, MSH kërkon shkarkimin e sanitares dhe hetim për rastin

21:04 12/01/2021

Ministria e Shëndetësisë ka reaguar menjëherë pas publikimit të skandalit në emisionin investigativ “Stop”, ku sanitarja Tire Alldervishi hiqej si infermiere dhe i mori vajzës së një gruaje të infektuar me Covid-19, që më vonë ndërroi jetë, një shumë parash.

Në njoftimin e lëshuar për mediat mbrëmjen e kësaj të marte, Ministria e Shëndetësisë thotë se i ka kërkuar drejtorisë së spitalit “Shefqet Ndroqi” që të shkarkojnë menjëherë nga puna sanitaren Tire Alldevishi. Ndër të tjera kërkohet nga autoritetet kompetente që të hetohet rasti i korrupsionit.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dënon me forcë veprimin e paligjshëm dhe korruptiv, të sanitares Tire Alldervishi, të spitalit “Shefqet Ndroqi”, i bërë publik sot në emisionin investigativ “STOP”. Ministria e Shëndetësisë i ka kërkuar drejtorisë së spitalit “Shefqet Ndroqi” shkarkimin e menjëhershëm nga detyra të sanitares Tire Alldervishi. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u kërkon autoriteteve kompetente, të kryejnë sa më parë hetimin e këtij rasti, për t’i shkuar deri në fund”, thuhet në njoftim.

Ministria e Shëndetësisë falënderon emisionin investigativ “Stop” për denoncimin e rastit në fjalë dhe thotë se nuk do të tolerojë asnjë rast abuzimi me të drejtën e qytetarëve për të marrë shërbimin shëndetësor që u takon.

Aktin e sanitares Tire Alldervishi, Ministria e Shëndetësisë e konsideron si një rast të izoluar të një punonjëseje të papërgjegjshme, që sipas tyre “nuk mundet kurrësesi të njollosë punën e jashtëzakonshme dhe sakrificën e mijëra mjekëve dhe infermierëve në të gjithë Shqipërinë, në këtë kohë të vështirë të pandemisë”.

Në emisionin “Stop” u publikua mbrëmjen e kësaj të marte (12 Janar) rasti i korrupsionit të sanitares Tire Alldervishi. Ajo ishte hequr si infermiere ndaj një vajze, nëna e të cilës ishte shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi” ose siç njihet Covid 2, dhe në këmbim të parave pretendonte se kujdesej për të sëmurën.

Denoncuesja tha se i ka dhënë 8 milionë lekë sanitares që të përkujdesej për të ëmën, por edhe të paguante pjesën tjetër të stafit shëndetësor. Mirëpo ndryshe nga ç’pretendonte sanitarja, e ëma e denoncueses disa ditë përpara se të humbte jetën është ankuar për shërbimin, madje edhe se sanitaret i kanë mohuar ushqimin pasi nuk donin që t’i ndërronin pampersat..

“Mos më le me vdek, jepi lekë ndonjë tjetri. Jam bërë hekur në gojë. S’kam doreza e gërshërë të vogla me pre pampersin se pastrohem vetë”, është një prej mesazheve që e ndjera ka komunikuar me vajzën para se të ndërronte jetë.

Lexoni lajmet këtu:

/tvklan.al






Të ngjashme