Kosova është paraqitur me shkurtesën “kos” me shkronja të vogla në tabelën e televizionit publik të Spanjës. Kujtojmë se dhe më herët Spanja ishte përpjekur që të mos pranojë simbolet dhe himnin shtetëror të Kosovës në ndeshjen e mbajtur. Këto kërkesa nuk u pranuan as nga FIFA e as nga Federata e Futbollit të Kosovës. Megjithatë, televizioni publik i Spanjë doli me një gjest të ri duke shkruar Kosovën me shkronja të vogla.

Kombëtarja e Spanjës u përball me Përfaqësuesen e Kosovës në kualifikueset e Kampionatit Botëror “Katar 2022”.

Rezultati i ndeshjes përfundoi 3-1 për Spanjën. Por, ajo që ka tërhequr vëmendjen e gjithë mediave është paraqitja e Kosovës në tabelë me shkronja të vogla.

Ndërkohë, edhe në konferencën për shtyp para ndeshjes me Spanjën,  trajneri i përfaqësueses së Kosovës Bernard Challandes është përballur me një situatë jo sportive, ku gazetari i të përditshmes sportive AS nuk i përmendte emrin përfaqësueses së Kosovës. Kjo ka bërë që menaxheri i përfaqësueses Bajram Shala të reagojë kundrejtë gazetarit me fjalët, “trajneri i kujt, sepse ne nuk e kemi parë emrin e përfaqësueses tonë në median tuaj. Duhet të jetë e qartë se ndaj kujt trajneri është pyetja, nuk e kemi parë emrin e Kosovës në gazetën tuaj”./tvklan.al