Makabre dhe skandaloze mënyra se si ekspertët mjeko-ligjorë të policise kanë trajtuar eshtrat e trupit të gjetur të shkrumbuar brenda një makine në afërsi të fshatit Borizanë në Fushë-Krujë. Një ditë pasi Tv Klan publikoi pamje të mbetjeve njerëzore në vendin e ngjarjes, aty kanë shkuar sërish këtë të henë ekspertë të policisë së Fushë-Krujës për të mbledhur prova, por sërish kanë lënë pas pjesë të trupit të viktimës.

Siç shihet nga pamjet, sërish në vendgjarje ka mbetje të eshtrave të trupit i cili dyshohet se është 61-vjeçari nga Kosova, Xhafer Osmani. Kamera e TV Klan fiksoi mbetje të një dore njeriu e cila duket se u ka shpëtuar syve të hetuesve dhe të ekspertëve.

Lidhur me këtë fakt TV Klan, kërkoi një reagim nga Policia e Krujës, por ajo nuk pranoi të japë sqarime për skandalin. Xhafer Osmani rezulton pronar i makinës, në të cilën edhe u ku dyshohet se u dogj. Ekzaminimi mjeko-ligjor ende nuk ka nxjerrë zyrtarisht shkakun e vdekjes apo konfirmimin se kujt i përket trupi, pasi pritet analiza e ADN-së. 

Familjarët e tij të cilët e kishin denoncuar të zhdukur më 4 Maj kanë mbërritur në Tiranë. Më parë ata kanë qenë aty ku u gjet makina. Osmani rezulton se ka hyrë nga Morina më 29 Prill. Ka dyshime për hakmarrje nga ish-miqtë e kosovarit në Fushë-Krujë. Vendasit e njihnin Osmanin si pronar të një lokali me muzikë, në të cilin punojnë dhe vajza nga zona ku u gjet makina e djegur.

Tv Klan