Ministria e Infrastrukturës u është drejtuar autoriteteve amerikane për të marrë informacion lidhur me kompaninë që ka fituar tenderin prej 18 milionë Eurosh për të ndërtuar lotin e parë të Unazës se Madhe pranë sheshit Shqiponja, për të cilën ka dyshime se ka falsifikuar dokumentat.

Ministri Damian Gjiknuri reagoi për herë të parë për lajmin në faqen e tij në Facebook, duke thëne se, nëse falsifikimi do të provohet, kontrata me kompaninë “DH Albania” do të zgjidhet dhe asaj do t’i mbahet garancia e kontratës, e cila vlerësohet në 2.7 milionë Dollarë.

Unë si ministër i jam drejtuar autoriteteve amerikane për verifikimin zyrtar të shqetësimit të bërë publik në media. Kompania në fjalë nuk ka marrë asnjë qindarkë nga Buxheti i Shtetit dhe garancia e saj financiare do të sekuestrohet, në rast se dokumentat e paraqitura prej tyre në garë nuk janë autentike.

Në fillim-javën e ardhshme, presim përgjigjen e autoriteteve amerikane. Nëse përgjigja do të konfirmojë falsifikimin e dokumenteve nga kompania, atëherë padiskutim do të reagojmë menjëherë me zgjidhjen e njëanshme të kontratës dhe referimin e rastit pranë organeve të drejtësisë”.

Ministri Gjiknuri u është përgjigjur edhe akuzave të opozitës.

“Atyre që duan të bëjnë politikë me Unazën e Re dhe kujtojnë se gjetën shtegun e revolucionit, pasi u katandisën me 100 protestues profesionistë të Bashkisë Kamëz nga mbrapa, u them kaq: Ndryshe nga ju që kur qeverisnit shisnit Shqipërinë me letra fallco, sot autoritetet e shtetit po bëjnë detyrën. ARRSH ka pezulluar projektin për lotin nr.1. Ndryshe nga ju që kur qeverisnit shisnit Shqipërinë me letra fallco, sot autoritetet e shtetit po bëjnë detyrën”.

Gjiknuri thotë se në dallim me kohën kur në qeveri ishte opozita e sotme, autoritetet nuk i fshihen asnjë përgjegjësie shtetërore dhe as kanë gjë për të fshehur.

Tv Klan