Konjufca paralajmëron masa për përgjegjësit

Nuk zgjati shumë entuziazmi për njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga Xhamajka. Ishte Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi i pari që njoftoi për këtë njohje, ndërsa meritat kreu i shtetit ia autribuoi ambasadores së Kosovës në Washington, Vlora Çitaku, dhe Senatorit amerikan Eliot Engel.

Pastaj nuk mungoi as reagimi i Kryeministrit Albin Kurti, i cili falenderoi shtetin e Xhamajkës për njohjen e Pavarësisë së Kosovës.

Por gjithçka e përmbysi një status i ministres së Jashtme të Xhamajkës në Twitter, e cila bëri të ditur se ky shtet ende nuk e ka njohur Pavarësinë e Kosovës. Presidenca thotë se njoftimin e kanë marrë nga ambasadorja e Kosovës në Washington, Vlora Çitaku.

“Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës është njoftuar mbrëmë zyrtarisht nga Ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, për njohjen nga shteti i Xhamajkës. Të njëjtin njoftim, ambasadorja e ka dërguar edhe në Zyrën e Kryeministrit dhe të Ministrit të Punëve të Jashtme. Presidenti këtë njoftim e ka bërë publik përmes profilit të tij në Twitter. Për informacione tjera, luteni t’i drejtoheni Ministrisë së Punëve të Jashtme”, thuhet në përgjigjen e Presidencës.

Në Ministrinë e Jashtme e konfirmojnë të njëjtën gjë, se janë njoftuar zyrtarisht nga ambasadorja Çitaku për njohjen nga Xhamajka. Por ministri Glauk Konjufca ka thënë se janë duke sqaruar situatën e krijuar me ambasadën atje.

“Në rrafshin profesional, informata zyrtare e një ambasadori/eje, drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme, konsiderohet si akt i mirëqenë dhe merret në konsideratë si e tillë. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me ambasadën tonë në SHBA, për të sqaruar situatën e krijuar. Si ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, pas shqyrtimit të situatës, shumë shpejt do të ndërmarrë veprime në përputhje me përgjegjësitë e secilit”.

Ambasadorja Çitaku deri më tani nuk ka dhënë asnjë sqarim për media lidhur me këtë çështje.

Tv Klan