Emisioni Stop në Tv Klan trajton sonte problematikat që lindin nga përkthimet në një dokument zyrtar. Bazuar në ligjin për noterinë, një noter duhet të jetë i certifikuar për gjuhën që merr përsipër të përkthejë e noterizojë ose bashkëpunëtori i tij të jetë i licencuar.

Emisioni Stop disponon një dokument zyrtar të lëshuar nga noterja Anila Haxhiu në Fier, të cilin ia vemë në dispozicion përkthyeses zyrtare në Gjermani Denida Baholli. Zonja Baholli thotë se ky përkthim është skandaloz. Faqja e parë, sipas saj, është holandisht dhe jo gjermanisht. Aspekti i dytë, vetë fjalët gjermane të përdorura janë problematike dhe jo të sakta. Për rrjedhojë, dokumenti i lëshuar nga noterja Anila Haxhiu nuk njihet nga shteti gjerman.

“Unë jam Denida Baholli, jam përkthyese e liçensuar prej 7 vitesh në Gjermani nga Gjykata e Lartë “Hamsi” dhe Gjykata e Lartë Havorf dhe prej 7 vitesh punoj si përkthyese. Ju më paraqitet një dokumentacion, që duhet paraqitur në një institucion këtu në Gjermani. Duhet të ishte një dokument i përkthyer në gjermanisht, por fatkeqsisht, unë para meje kam një dokument, i cili në faqen e parë, është një gjuhë tjetër, që nuk përkon fare me gjermanishten. Mund të jetë hollandisht, kurse në faqen e dytë është përkthyer në një gjermanishte të çalë, që nuk është në nivelin e një përkthyesi. Nuk është e vërtetë terminologjia e legjislacionit në Gjermani. Janë fjalë shumë të thjeshta shumë më të përditshme. Nuk është ajo gjuha e lartë zyrtare. Po marrim një pjesë në shqip, ku thuhet vendosi: Ndreqjen e gabimit material të vendimit gjyqësor civil nr.x, y, dt 14.04.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, konkretisht, në pjesën hyrëse arsyetuese, në dispozitivitetin e këtij vendimi, fjalia “Joan” është e gabuar dhe e saktë do të jetë fjala “Joani” dhe në pjesën hyrëse shifra 7.06.1979 është e gabuar dhe e saktë është 7.6.1969. Në gjermanisht….Është e shkruajtur këtu, domethënë fjala Gjykatë, është përdorur dy herë. Në gjermanisht, thjesht është….Domethënë në çfarëdolloj Gjykate, që shkon në Gjermani, është e shkruajtur…. edhe qyteti përkatës. Pjesën hyrëse shifra në gjermanisht. Mjafton…..duhet në gjermanisht. Është dokumenti pastaj, domethënë, sepse ka disa nuanca në Gjermanisht, që duhen përdorur ashtu siç duhet. Në vendim në Shqipëri është 20.4.2022, hollandisht po themi, është 144 2021. Viti nuk është i saktë”, thotë përkthyesja Denida Baholli.

Kamera e fshehtë e “Stop” tregon se si përkthen noterja në fjalë. Në vulën e saj thuhet se bën përkthimin nga anglisht, greqisht, italisht dhe frëngjisht. Por një qytetare shkon të përkthejë një dokument nga gjuha turke.

Qytetarja – Si kaluat?

Sekretarja – Mirë!

Qytetarja – Për të bërë një përkthim ju lutem!

Sekretarja – Ç’a përkthimi ke?

Qytetarja – Si jeni?

Sekretarja – Mirë!

Qytetarja – Thjesht do përkthyer dhe me vulë!

Sekretarja – Do kalosh ta marrësh me vonë?

Qytetarja – Sa? Për sa?

Anila Haxhiu – Çfarë gjuhe është?

Sekretarja – Është Turqisht.

Anila Haxhiu – Jo, do presi pak!

Sekretarja – Eh..!

Anila Haxhiu – Mbasdite e merr, të vijnë ato, që janë besimtare, që kanë bërë shkollën. E do në shqip ti? Po nesër!

Qytetarja – Po, në shqip!

Anila Haxhiu – Pushim është. Në Fier rri ti?

Qytetarja – Eee e kam me nxitim. Sa vonon pak a shumë?

Anila Haxhiu – Po nesër në mëngjes e ke gati. S’bëhet, nuk është gjuha jonë. Ne bashkëpunojmë me të tjerët, që janë përkthysa edhe përfshin gjuhët e ralla. Gjuhët tona janë anglisht, greqisht dhe frengjisht dhe italisht.

Qytetarja – Ok!

Anila Haxhiu – 4 gjuhë kemi tonat ne, zyrtaret tona. Të tjerat i marrim nga shokët nga kolegët. Po e do nesër në mëngjes, e ke gati.

Qytetarja – Si jeni? A është bërë gati ajo?

Anila Haxhiu – Jo nuk është bërë, bëhet diku tjetër. Mirë shpirt, se s’ishte ajo. Jo është bërë, por nuk është bërë. Tani vjen qytetarja, do t’i jap asaj për përkthim turqishten. Nuk është bërë. Mësohu të vish bukur në zyrë!

Qytetarja – Më dëgjo pak të lutem!

Anila Haxhiu – Mund të vazhdosh jashtë!

Qytetarja – Jo, kam lënë një fotokopje këtu.

Anila Haxhiu – Jepja fotokopjen ta bëjë diku tjetër!

Qytetarja – Atëherë nuk e keni dërguar.

Anila Haxhiu – Ne e kemi bërë dhe nuk e japim. Jepe mbrapa!

Qytetarja – E keni bërë dhe nuk ma jepni?

Anila Haxhiu – Jo, nuk ta japim! S’dua! Është detyra ime. Ta jap, mos ta jap.

Qytetarja – Detyra juaj është, të më mundoni mua kaq gjatë?

Anila Haxhiu – Po, po! Shumë herë të munduam.

“Asnjë noter nuk mund të bëjë përkthimin e një materiali nëse nuk është i certifikuar për gjuhën që do bëhet përkthimi. Asnjë noter nuk mund të përkthejë asnjë material nëse nuk është i certifikuar nga Ministria e Drejtësisë”, thotë Denida Baholli.

Ligji për noterinë e përcakton qartë neni 19 që noteri nuk mund të ushtrojë asnjë lloj profesioni tjetër përveç se profesionit të noterit dhe mundet që ajo të bëjë punë shkencore ose të japin mësim në universitete. Asnjë lloj profesioni tjetër të dytë si përkthyes. Kemi një shkelje të rëndë administrative. Menjëherë, si Dhoma për Noterinë, ashtu dhe Ministria e Drejtësisë duhet të marrin masa për heqjen e licencës së kësaj notereje”, thotë avokati Arben Llangozi.

Si të mos mjaftojnë dokumentet problematike të noteres Haxhiu, Stop zbuloi se vula e saj, që provon njohjen e 4 gjuhëve të huaja, është e falsifikuar, pasi në QKB del nipti i qytetarit Pelivan Metushi, blektor në profesion.

Avokati Arben Llangozi tregon shkeljet e noteres problematike. Sipas tij, këtë situatë duhet ta kishte verifikuar edhe Ministria e Drejtësisë edhe ajo e Jashtme.

“Ky dokument ka disa falsifikime. Numri i licencës nuk është i vërtetë pasi nuk ka përkthim për një studio ligjore, por ka numër licence për një individ të caktuar. Pra, numri i licencës në vulë është i falsifikuar. Kemi të bëjmë me një falsifikim të dytë, që vula ka një numër nipti dhe numri i niptit nuk i përket noteres por është marrë një numër nga një person tjetër. Nëse i referohemi dokumentit, dokumenti nuk është bërë nga një përkthyes i licencuar ashtu siç thotë noterja në rastin aktual, por është bërë në Google Translate dhe materiali brenda nuk është i saktë. Kemi falsifikim intelektual, quhet në gjuhën juridike, kemi të bëjmë me përdorim të falsifikuar sepse noterja pasi e ka bërë dokumentin fals e ka marrë dhe e ka noterizuar. Është një vepër penale kjo e parashikuar nga neni 186 paragrafi i parë dhe kjo është bërë më shumë se një herë dhe noterja duhet të mbajë përgjegjësi. Por jemi para nenit 186 paragrafi i tretë i cili dënohet me burgim nga 3 deri në 7 vjet. Prokuroria duhet të marri masa menjëherë dhe duhet të bëjë si parandalimin e krimit por dhe arrestimet. Ministria e Jashtme në mënyrën më të tmerrshme i legalizon këto dokumente sepse Ministria e Jashtme duhet të shikojë në Regjistrin e Posaçëm që është në Ministrinë e Drejtësisë të gjithë përkthyesit e licencuar dhe jo që të marri dhe të legalizojë çdo lloj dokumenti e ardhur nga kushdo. Dyshohet që dhe në Ministrinë e Jashtme, aty ku merret vula apostile, të kemi veprime korruptive”, shprehet avokati Arben Llangozi.  /tvklan.al