Emisioni “Stop” në Tv Klan ka trajtuar mbrëmjen e sotme një denoncim të mbërritur në redaksi, për një anije italiane që qëndron e bllokuar në Portin e Durrësit prej më shumë se dy muajsh.

Anija me emrin “Tenerife car” është marrë me qira dhe në përdorim nga italiani Kristian Frisenna, një sipërmarrës italian me qendër në Trieste, kompania e të cilit bën transport të mallrave.

Ai ka denoncuar në emisionin “Stop” se në Portin e Durrësit nuk e lejojnë anijen e tij që të ankorohet dhe të ngarkohet me mallra, për t’i transportuar më pas drejt Italisë.

Ai thotë se Porti i Durrësit i kërkon licencën për transportin e pasagjerëve, një kërkesë absurde kjo kur në fakt bëhet fjalë për transport mallrash. Për këtë arsye, autoritetet e Portit të Durrësit e kanë lënë në radë prej më shumë se 2 muajsh këtë anije.

Kristian Frisenna:Unë jam Kristian Frisenna, pronar i Logjistika Portual Srl, shoqëria me përgjegjësi të kufizuar me qendër në Triste, Itali. Ne jemi një kompani transporti që prej vitesh bashkëpunojmë me kompani të ndryshme të transportit të mallrave në Shqipëri. Rreth 3 muaj më parë kemi marrë me qira nga “Tenerife car” një anije për të transportuar automjete dhe mallra nga Shqipëria me pjesën tjetër të Europës nëpërmjet Portit të Durrësit dhe Triestes. Fatkeqësisht, autoritetet shqiptare të Portit të Durrësit nga 19 Marsi, datë në të cilën mbërriti anija, nuk na kanë lejuar që të hyjmë në port. Arsyeja e ndalimit sipas këtyre autoriteteve, është mungesa e licencimit nga Ministria e Transportit për transportin e pasagjerëve. Kjo nga ana jonë është e papranueshme. Si mund të pretendohet që një anije për transport automjetesh dhe mallrash të jetë e pajisur me leje për transport pasagjerësh. Kjo anije nuk është e përshtatshme për transportin e pasagjerëve. Nuk është për transport pasagjerësh dhe nuk ka vendin e përshtatshëm për diçka të tillë. Dhe për këtë arsye është e pamundur të bëjmë një kërkesë për licencim të tillë. Mund të shtoj gjithashtu se për momentin ne po mundohemi me shumë përpjekje të krijojmë një lidhje të re mallrash nga Porti i Durrësit me portet veriore të Adriatikut. Por nuk bëhet fjalë për një linjë shërbimi fikse, por për shërbime të rastit. Pra besoj se jam i qartë. Kjo pengesë nga autoritetet e Portit të Durrësit dhe Ministrisë së linjës është në kundërshtim të hapur edhe me rregullat ndërkombëtare të transportit detar të mallrave. Anija “Tenerife car” është e licencuar nga IMO, Organizata Internacionale e Marinës. Është njëlloj sikur federata juaj e futbollit të mos respektojë direktiva dhe licencimet e UEFA-s. Kjo gjë nuk ndodh. Por në rastin tonë kjo gjë po ndodh. Ministria juaj e Transportit dhe Porti i Durrësit na kërkojnë një licencim lokal, kur “Tenerife car” është licencuar nga IMO. Prandaj kërkojmë nga programi juaj Stop një ndërhyrje serioze brenda rregullave për të na ndihmuar zgjidhjen e kësaj situate të pakëndshme, e cila theksoj, na ka kushtuar dëme të mëdha ekonomike”.

Grupi i xhirimit të emisionit “Stop” ka shkuar drejt anijes, që ka 2 muaj që qëndron e bllokuar bashkë me ekuipazhin e saj. Kostot e këtij bllokimi janë të konsiderueshme, po të marrim parasysh se vetëm për energji ajo shpenzon 700 Euro në ditë. Gazetari i emisionit “Stop”, Genci Angjellari, inspektoi të gjitha ambientet e anijes dhe duket qartë se ajo nuk është për transport pasagjerësh, por vetëm për mallra.

Për këtë arsye, emisioni “Stop” i ka dërguar një kërkesë Portit të Durrësit dhe Ministrisë së Transporteve për të marrë më shumë informacion rreth kërkesës absurde. Në përgjigjen e saj, Ministria e Transporteve ka dhënë 4 versione të ndryshme. E para, thotë se anija “Tenerife car” kërkon të bëjë transport të kamionëve dhe trajlerave. Në këtë rast, automjetet kategorizohen si pasagjerë apo si mallra?!

Alibia e dytë e Ministrisë është se kjo anije duhet të pajiset me bileta. Por si mund të ketë bileta pasagjerësh një anije që transporton mallra?!

Versioni i tretë i Ministrisë së Transporteve është se kjo anije duhet të marrë një licencë lokale, pavarësisht se pranon faktin që aktualisht disponon licencë ndërkombëtare nga IMO.

Dhë së fundmi, në kthimin e përgjigjes për emisionin “Stop” argumentohet se një prej subjekteve që transporton mallra me këtë anije, është debitor në Portin e Durrësit. Dhe për këtë arsye, Porti i Durrësit ka vendosur të bllokojë gjithë subjektet e tjera që nuk kanë probleme.

Pra, të gjitha këto versione të autoriteteve kompetente nuk qëndrojnë. Për këtë çështje, ka filluar interesimin edhe ambasada e Italisë në vendin tonë. /tvklan.al