Skandali me tenderin e “ish – Hotel Dajtit”, Malaj: BSH të tregojë si i shpenzoi fondet



Skandali me tenderin e “ish – Hotel Dajtit”, Malaj: BSH të tregojë si i shpenzoi fondet

15:20 12/06/2017

Mënyrën e fshehtë dhe në mungesë të plotë transparence për procesin se si është bërë prokurimi i ish – Hotel Dajtit e ka denoncuar edhe një nga anëtarët e organit më të lartë të drejtues të Bankës së Shqipërisë.

Arben Malaj, pjesë e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës ka bërë një reagim në Facebook, ku kërkon që Banka Qendrore të ofrojë transparencë maksimale dhe të garantojë efiçencë në përdorimin e çdo qindarke apo investim të saj.

Malaj këtë postim e ka bërë duke shpërndarë një kronikë të Televizionit Klan, ku thuhet se godina “Dajti” do të kushtojë 6 milion euro më shumë se ajo e ndërtimit të selisë qendrore, edhe pse sipërfaqja është 3500 metra më e vogël.

“Në çdo rast përballë njoftimeve apo shqetësimeve publike, Banka e Shqipërisë si çdo entitet tjetër publik, duhet të ofrojë transparencë maksimale dhe të garantojë efiçencën maksimale të përdorimit të çdo qindarke në çdo shpenzim apo investim të saj. Transparenca duhet të jetë e menjëhershme, ndërsa sfida e efiçencës së shpenzimeve një prioritet i matshëm dhe i përhershëm”.

Por dhe pse zbardhja e mënyrës se si po shpenzohen 18 milionë euro po kërkohet nga drejtues të saj, Banka e Shqipërisë sërish refuzon të japë të dhënat, se si është shpallur tenderi, cilat kompani janë njoftuar, a është konsultuar me shoqërinë civile dhe palët e interesuara dhe si është vendosur fituesi?

“Banka e Shqipërisë vazhdon të heshtë lidhur me procedurën që ka ndjekur ndaj kompanisë që i ka dhënë ndërtimin e ish –Hotel Dajtit. Televizioni Klan kërkoi sërish një përgjigje zyrtare, por institucioni monetar më i rëndësishëm në vend nuk dha asnjë informacion”.

Edhe Shoqata e Ndërtuesve, e kontaktuar nga Televizioni Klan është shprehur se ky tender është zhvilluar në mungesë të plotë transparence. Drejtues të saj sqaruan se, në procese të ngjashme, entet publike konsultohen me shoqatën dhe ajo i ve në dispozicion një listë me kompani, të cilat kanë aftësi teknike të mira për të ndërtuar vepra të ngjashme.

Ky është rasti i parë që një institucion publik fsheh të dhënat për një tender, ndërsa si qeveria dhe opozita heshtin. Vetëm organi i akuzës mund të arrijë të zbardhë këtë çështje, duke nisur një hetim kryesisht dhe t’i shkojë deri në fund prapaskenave që po zhvillohen pas këtij tenderi.

Tv Klan







Të ngjashme