Emisioni “Stop” trajtoi këtë të mërkurë problematikën në lidhje me universitetin “Epitech Albania” e cila nuk është akredituar dhe për pasojë ka lënë pa matrikulluar studentët pavarësisht se ata kanë paguar 7 mijë Euro për vit akademik.

Për këtë shqetësim “Stop” iu drejtua Ministrisë e Arsimit dhe u lidhën me ish juristin, që është marrë me procedurat, Erzen Tola, që sot ka pozicionin e drejtorit të përgjithshëm.

Tola jep një përgjigje absurde, duke thënë, se MAS nuk ka mekanizma kontrolli, pasi në këtë rast kemi të bëjmë me një marrëdhënie kontraktuale midis studentit dhe “Epitech”.

MAS,Erzen Tola: Alo!

Përshëndetje zoti Tola si jeni?

MAS,Erzen Tola: Mirë! Si jeni ju?

Në redaksinë tonë kanë mbërritur disa denoncime për një universitet “Epitech” ku faktohet që nuk është i akredituar dhe nuk ka plotësuar numrin e matrikullimit studentëve që janë në këtë universitet. Ju jeni në dijeni për këtë fakt dhe çfarë qëndrimi mban Ministria e Arsimit.

MAS,Erzen Tola: Tani e para njëherë, kjo nuk besoj, se është çështje telefoni, që mund t’ju sqaroj! E dyta pastaj studentët kanë… mund të sjellin vetë ankimimet te ne dhe për aq sa kanë sjellë, ne i jemi përgjigjur, ministria, qendra e shërbimeve arsimore gjithashtu. E treta, studentët kanë një kontratë me ata. Besoj, se subjekti është privat dhe mund t’ia kërkojnë drejtpërdrejtë subjektit, që e ka kontaktuar!

Ideja është a mban përgjegjësi Ministria e Arsimit për një universitet të paakredituar…?

MAS,Erzen Tola: Çfarë pyetje është kjo: a mban përgjegjësi ministria e arsimit?

Po pra në 2013-ën shumë universitete të paakredituara u mbyllën për këtë shkak dhe si ka mundësi që lulëzoi ky në 2017-ën?

MAS,Erzen Tola: Tani, unë s’e kuptoj si i bën këto pyetje në telefon dhe më thoni mua mban përgjegjësi?! Çfarë është kjo?

Çfarë ndryshimi ka biseda nëpërmjet telefonit dhe ballë për ballë. Thjesht ne duam që të sqarojmë situatën dhe ti jepet një zgjidhje sepse në fund të ditës të dëmtuar janë studentët.

MAS,Erzen Tola: Dhe unë nuk e di tani, duhet ta verifikoj, nëse institucioni ka bërë gabim.

Zotëri të lutem nuk mund të luajmë ping-pong me institucionet ku ndërkohë është fare e qartë situata?

MAS,Erzen Tola: O zotëri! E para njëherë, kush je ti, që po më kërkon llogari njëherë në telefon? Tani, unë po mundohem të sqaroj, për ça më pyetët juve.

Unë jam gazetar investigativ zotëri dhe ju mbani përgjegjësi për këtë.

MAS,Erzen Tola: Zotëri, të lutem! Sille me shkrim kërkesën, do t’ju informojmë!

Sipas informacioneve të Stop, “Epitech” nuk ka dërguar informacionet dhe nuk ka plotësuar kriteret për t’u akredituar.

Specialisti Ndriçim Mehmeti shpjegon, sesi duhet të veprojë MAS me studentët e “Epitech Albania”, që nuk janë pajisur me numër matrikullimi, në këtë institucion arsimor të paakredituar.

“Ish-ministrja Nikolla ka nxjerrë një sërë procedurash që sot duhet të ishin në dorë të institucioneve. Ka auditin, çon atë. Ka një sërë instrumentesh për ta kontrolluar”. /tvklan.al