Në redaksinë e emisionit “Stop” kanë mbërritur disa denoncime për Universitetin “Epitech Albania”, pasi ky institucion nuk i ka pajisur studentët me numër matrikullimi dhe rezulton i paakredituar. Universiteti në fjalë është hapur në vitin 2017 dhe sipas udhëzimit, duhet të ishte akredituar brenda tre vjetësh.

Denoncuesja: Ankesa ime është lidhur me universitetin “Epitech Albania”, një universitet që është hapur në vitin 2017 në Shqipëri. Unë kam regjistruar vajzën time në atë universitet, ka ndjekur tre vjet aty dhe kam dashur që vitin e fundit për arsye të ndryshme dhe ekonomike më tepër për shkak të pagesave të larta të universitetit kam dashur që ta transferoj në një universitet tjetër që ushtron aktivitetin në Shqipëri. U bënë të gjitha dokumentacionet përkatëse për kalimin dhe ka dalë një problematikë shumë e madhe sepse universiteti tjetër nuk e regjistron fëmijën tim për arsye sepse universiteti Epitech Albania nuk del asgjëkundi i regjistruar. Që do të thotë që është i paakredituar dhe studentët nuk i ka matrikulluar. Do të thotë që fëmija im tani është nul, është zero.

Sa ka qenë pagesa në këtë universitet?

Denoncuesja: Pagesa në këtë universitet është 7 mijë euro për vitin akademik. Përveç pagesave të humbura kot ajo që më shqetëson më së shumti është gjendja psikike e rënduar e fëmijës tim i cili sot është në udhëkryq, nuk ka ku të shkojë, mësimet e tij të marra janë zero, nuk i njeh askush. Nuk na shkonte në mendje në 2017-ën që do të kishte, ose do të lulëzonin universitete fantazëm si puna e këtij, ndërkohë që vetë qeveria në 2013-ën erdhi me një fushatë sensibilizimi dhe mbylli goxha universitete të tilla. Për ne si familjarë ishte super shokuese kur morëm vesh para disa muajsh që në 2021-shin të ketë akoma. Më falni se jam shumë e emocionuar për shkak edhe të nivelit emocional të fëmijës tim që nuk di, o Zot na ruaj, që të ketë akoma universitete të këtij lloj niveli.

Në urdhrin e hapjes së filialit, Epitech Albania për 3 vite duhet të ishte akredituar. Universiteti duhet të kishte pajisur çdo student edhe me numër matrikullimi.

Specialisti i arsimit Ndriçim Mehmeti shpjegon të gjitha hallkat, që duhen ndjekur për akreditimin e këtij universiteti, degë e një universiteti francez.

“Cilido që hap një filial apo një program të vetin vjen në Shqipëri dhe njihet së pari me kushtet që ka. Ministria e Arsimit që në 2011 kishte varur një sërë kushtesh që i hiqte nga ana e vet dhe i çonte tek QKL. Ai licensohej aty si organizatë, si biznes ishte e drejta e tij. Pasi merrte licencimin fillonte punën, por para se të fillonte veprimtarinë i dërgonte një dosje ministrisë dhe i thoshte që unë do të kryej një veprimtari arsimore. Ai me urdhër të veçantë të urdhrit të ministrit merr urdhrin e licencimit. Pasi ti kalon një fazë të vjen dhe të lajmëron një muaj para Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit të Lartë dhe të thotë “i nderuar zotëri pasi ke kaluar një cikël do të vijmë për akreditim”.

Nga ana tjetër administratori i “Epitech Albania”, Armend Tahiraj, pretendon, se universiteti në fjalë nuk ka pse të akreditohet sepse është degë e Francës.

Administratori Epitech, Armend Tahiraj: Po!

Unë po merrem me një shqetësim që ka ardhur në Stop në lidhje me universitetin që ju drejtoni. Jeni administrator i Epitech ku ngrihet pretendimi se ky universitet është i paakredituar dhe i papajisur me numrin e matrikullimit. Çfarë komenti keni ndaj kësaj problematike?

Administratori Epitech, Armend Tahiraj: Aa dakord! Ne si universitet nuk jemi të akredituar në Shqipëri, jemi të licencuar, mund t’ju dërgoj edhe shkresën zyrtare. Numrat e…, numrat e matrikullimit, siç paraqitet në Ministrinë e Arsimit, ne nuk na duhen, ne numrat e matrikullimit në Shqipëri, se jemi degë e Francës. Ne nuk jemi të akredituar në Shqipëri, nuk kemi kërkuar akreditim, jemi të licencuar.

Që do të thotë?

Administratori Epitech, Armend Tahiraj: Që do të thotë ne funksionojmë si branch (degë) i Francës./tvklan.al