Skandal, Prokuroria liron “helmuesin” e ushqimeve



Skandal, Prokuroria liron “helmuesin” e ushqimeve

11:56 05/03/2021

Vajin e lulediellit e përzinte me vaji ulliri grek

Prokuroria e Tiranës përfshihet në skandalin e falsifikimit të produkteve ushqimore, një aktivitet kriminal ky që vë në rrezik drejtpërdrejtë shëndetin e konsumatorëve.

Një ditë pas arrestimit të Mihal Kotës, pronar i një kompanie të quajtur “Saranda Al”, që u denoncua në emisionin Stop se falsifikonte sasi të konsiderueshme të vajit të ullirit dhe produkteve të tjera ushqimore, prokuroria ka kërkuar që ai të lerë qelinë. Pikërisht mbi kërkesën e prokurores Suela Salavaci, Gjykata e Tiranës vendosi ta lerë Mihal Koten në arrest shtëpie.

Lirimi nga burgu u argumentua nga prokuroria me faktin se ai ishte në një gjendje shëndetësore jo të mirë. Sipas të dhënave të siguruara nga grupi hetimor, Kote është ndjerë keq pas shoqërimit në paraburgim. Për këtë arsye ai është dërguar ne spital.

Kaq i ka mjaftuar prokurorisë për ta dërguar nga spitali në shtëpi, edhe pse vetë prokuroria e ka faktuar skandalin. Në kërkesën e organit të akuzës theksohet se nga këqyrja e magazinës në datën 3 Mars janë konstatuar sasi të produkteve pa etiketa dhe disa prej tyre kishin datën e prodhimit 3 Mars 2021. 

Për me tepër, njëri nga punonjësit e marrë në pyetje ka treguar se si kryhet falsifikimi i datës së prodhimit dhe skadencës nga kompania që drejtohet nga Mihal Kote. Punonjësi ka rrëfyer se për vajin e lulediellit  bëhet përzierje me vaj ulliri të ardhur nga Greqia dhe më pas i vendosin etiketë “Vaj Saranda”, për t’u treguar si vaj ulliri, me çmim disa herë më të lartë. Para grupit hetimor Kote ka mohuar akuzat, edhe pse është vënë përballë provave që kishte mbledhur grupi i hetimit.

Kote ka treguar se pasi ka parë emisionin Stop ka shkuar me bashkëshorten në magazinë dhe kanë pastruar çdo gjë si dhe ka paketuar disa produkte me datën e prodhimit 3 mars. Veprim të cilin pretendon se e ka kryer në mënyrë të pavullnetshme. Gjithashtu për produktet pa etiketë është shprehur se do t’i ambalazhonte ditën tjetër.

Tv Klan







Të ngjashme