Dy ditë më parë emisioni “Stop” transmetoi skandalin e ndotjes së lumit Erzen, duke hedhur në të ilaçe të skaduara. zv. Ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli tha se po punohet për të vënë para përgjegjësisë fajtorin, në bashkëpunim edhe me strukturat e policisë dhe drejtësisë.

Po kështu zv. Ministrja e Mjedisit, Ornela Çuçi tha se është ngritur grup pune ndërministror për këtë çështje. Sot kjo ministri nisi dhe aksionin në terren për pastrimin e lumit Erzen nga medikamentet që ndotën lumin dhe tokën në zonën e Ndroqit.

Në redaksinë e emisionit “STOP” erdhi një denoncim, sipas të cilit, në lumin Erzen janë hedhur sërish mbetje spitalore e medikamente të skaduara.

Grupi i xhirimit mbërriti në vendngjarje dhe konstatoi se në dalje të Ndroqit, në një vijë prej 3 km, ishin hedhur kuti e thasë me mbetje farmaceutike e spitalore. Veç ndotjes pa kthim të lumit, zona është e mbjellë edhe me sera, në tokë të kontaminuar.

Emisioni “STOP” njoftoi menjëherë Policinë e Shtetit, Inspektoriatin Mjedisor, Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore dhe Prokurorinë e Tiranës për këtë skandal të ri e të pandalshëm, që shkakton dëme të pariparueshme në natyrë e shëndetin tonë.

Inspektori i AKBPM-së, Luan Çiçi shprehet se agjencia do të kryejë një verifikim nëse medikamentet janë të regjistruara.

Pasojat e kësaj katastrofe i shpjegoi edhe ambientalisti Sazan Guri, i cili tha se mbetjet farmaceutike janë shumë të rrezikshme dhe se marrin mijëra jetë njerëzish.

“Ky lum ‘i bekuar’ dikur, kthehet në një lum ‘të mallkuar’!”, 

thotë ambientalisti.

Dy ditë pas transmetimit të këtij skandali nga emisioni “STOP”,  zv. Ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli tha se nga verifikimi i kryer nga specialistëve të Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, është konstatuar se asnjë prej subjekteve, që kanë hedhur medikamentet në lumin Erzen, nuk ka bërë kërkesë për të bërë evidentimin e shkatërrimit të dëmtit fizik të barnave, ç’ka duhet bërë sipas ligjit të barnave.

“Ne po vazhdojmë ta ndjekim me shumë prioritet këtë problem. I kemi kërkuar, nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, policisë dhe prokurorisë që ta çojnë deri në fund, duke qenë të hapur dhe duke vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin që çon në sqarimin sa më të mirë të kësaj çështje.”

Materialet proceduriale i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku ka nisur edhe procedimi penal për të vënë përpara përgjegjësive autorët e skandalit mjedisor.

Zv. Ministrja e Mjedit, Ornela Çuçi falenderon emisionin “STOP”, si dhe qytetarët që së fundmi kanë nisur të denoncojnë krimet mjedisore, duke na treguar një ndërgjegjësim që do të mund të ndihmojë për të stabilizuar situatën mjedisore në Shqipëri.

“Ditën e shtunë, Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit, njëkohësisht edhe organet kopetente lokale të mjedisit kanë qenë terren, kanë konstatuar dhe kanë kontaktuar me policinë, rajonin nr. 6. Janë ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme që kjo situatë të zgjidhet në mënyrë ligjore të menjëhershme sepse krimi mjedisor është një krim i jashtëzakonshëm, i cili nuk ndikon në një, por në shumë jetë njerëzish.”

E pyetur nga gazetari i emisionit “STOP” se si do të rehabilitohet zona, zv. Ministrja Çuçi tha se ministri Klosi ka mbledhur një grup pune me përgjegjës nga të gjithë hallkat ligjore, për të mbledhur provat e nevojshme, në mënyrë që të ndiqen ligjërisht precedentët dhe për të pastruar më pas terrenin e dëmtuar.

Pas skandalit mjedisor të publikuar nga emisioni “STOP”, përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë, Inspektoriati i Mjedisit dhe kompania “Meditel” gjenden pranë lumit Erzen për ta pastruar nga medikamentet e skaduara, që dergjen në rrjedhën e tij. zv. Ministrja e Mjedisit u shpreh se në bashkëpunim me policinë, së shpejti do të gjendet përgjegjësi i këtij krimi mjedisor./

tvklan.al