Skandali në “Shefqet Ndroqi”, 4 të dyshuarat kërkojë lirinë



Skandali në “Shefqet Ndroqi”, 4 të dyshuarat kërkojë lirinë

13:55 19/02/2021

Apeli do të vendosë më 23 Shkurt për 3 infermieret dhe sanitaren

Skandali në spitalin Covid 2 “Shefqet Ndroqi”, që u publikua nga emisioni “Stop” ka vajtur në dyert e Gjykatës së Apelit Tiranë. Infermieret Mira Bushi, Sheqerije Koci Sidorela Çelaj dhe sanitarja Rukije Hoxhaj kanë kërkuar ndryshim të masës së sigurisë arrest në burg 45 ditë të dhënë nga Shkalla e Parë. Burime bëjnë me dije për Klan News se të dyshuarat pretendojnë se nuk ka prova që t’i lidhin ato me çështjen e Tire Allëdervishit.

Po ashtu në ankimim theksohet se ato kërkojnë masë me të butë sigurie për çështje familjare dhe shëndetësore. Avokatët e tyre pretendojnë se prokuroria nuk ka prova për t’i akuzuar për shpërdorim detyre dhe mashtrim.

Gjithashtu 4 të pandehurat e cilësojnë arrestimin e tyre të paligjshëm. Togat e zeza të Gjykatës së Apelit do të marrin vendim më datë 23 Shkurt.

3 infermieret dhe sanitarja u arrestuan pasi u zbardhën mesazhet në celularin e Tire Allëdervishit, e cila u denoncua nga vajza e një pacienteje se i kishte marrë 8 milionë lekë të vjetra, për t’i shërbyer nënës së saj që fatkeqësisht humbi jetën nga Covid.

Gjykata e Shkallës së Parë i ka lënë disa detyra prokurorisë, së pari të hetojë nëse ka edhe persona të tjerë të përfshirë në këtë skemë korruptive, si mjekë dhe kryeinfermierë.  Gjithashtu të rikthehen SMS-të e fshira nga 4 të pandehurat nga celularët e tyre. Të përcaktohet roli që ka pasur secila prej tyre në këtë çështje. Po ashtu të hetohet se përse familjarët u dërgojnë ushqime nga jashtë pacientëve të shtruar në “Shefqet Ndroqi”.

Prokuroria ka vijuar hetimet duke marrë në pyetje të gjithë personat që mund të kenë dijeni në lidhje më këtë çështje. Ndërsa burime thonë që akoma grupit të hetimit nuk i ka ardhur asnjë përgjigje nga laboratori i Kriminalistikës për rikuperimin e celularëve.

Klan News







Të ngjashme