Skandali në shkollën në Fier, “Stop”-Besa Shahinit: Paguheni me taksat tona, mos i lejoni vetes lajthitje të tilla

Skandali në shkollën në Fier, “Stop”-Besa Shahinit: Paguheni me taksat tona, mos i lejoni vetes lajthitje të tilla

21:30 25/02/2020

Reagimi i ministres, Saimir Kodra: Një paçavure, një pafytyrësi, një idiotizëm

Emisioni “Stop” ka vijuar edhe këtë të martë me skandalin në shkollën artistike në Fier “Jakov Xoxa” pasi ka bërë publike mesazhe joetike mes mësuesit Vasil Niko dhe një nxënëseje.

Sikur të mos mjaftonte historia aspak etike, në mesazhet e publikuara del në pah, sesi mësuesit kishin dijeni për historitë intime të njëri-tjetrit, madje i prezantonin vajza njëri-tjetrit. Në mesazhe del sërish emri i profesor Agronit, por edhe i një mësueseje tjetër, që e dinte situatën brenda shkollës.

Duket se gjithçka është mbuluar më së miri nga një rrjet nepotizmi, që funksionon në shkollë, ku të gjithë janë familjarë e të afërm me njëri-tjetrin. Por në lidhje me këtë situatë, ministrja e arsimit Besa Shahini i është përveshur medias për publikimin e skandalit, pa marrë përsipër asnjë përgjegjësi për atë që ndodh në shkollat tona.

Me gjithë reagimin e prokurorisë dhe policisë, kryetares së komisionit të medias, shoqërisë civile dhe individëve të irrituar që shprehën indinjatën e tyre në rrjetet sociale, mungoi reagimi që duhet të ishte i pari, ai i ministres së Arsimit. Ministrja mori 10 ditë kohë nga publikimi i skandalit, kur vendosi të shprehej. Të shtunën në 22 Shkurt përmes një postimi në rrjetet sociale, Besa Shahini i shtrëngoi dhëmbët jo autorëve të skandalit në arsimin e drejtuar prej saj, por mediave që publikuan këtë skandal.

“Shfrytëzimi i viktimave të abuzimit apo neglizhencës për arsye të tërheqjes së vëmendjes apo vetëpromovimit është poshtërsi. Po të kishin interesin e të abuzuarve në mendje nuk do t’i nxirrnin në media me identitet të plotë duke spekuluar me ditë të tëra për detaje të abuzimit”, shkruante ministrja në një postim në rrjetet sociale.

Por në një reagim, emisioni “Stop” ftoi ministren që të gjejë qoftë edhe një element të vetëm që identifikon viktimën e skandalit seksual. “Sop” i bëri thirrje ministres që dënojë aktin skandaloz e autorët para se t’i bëjë gjyqin medias.

Pas i vë në dispozicion emisionin e plotë të skandalit, emisioni investigativ i bën thirrje ministres së Arsmit që t’i përgjigjet kryetares së Komisionit të Medias dhe shoqërisë civile të cilët kanë kërkuar dorëheqjen e saj.

Në fund, “Stop” siguron Besa Shahinin që do të vazhdojë me denoncimin e skandaleve jo vetëm në arsim, por kudo qofshin.

“Zonja Besa, redaksia e emisionit “Stop” ju fton të gjeni qoftë edhe një element të vetëm të publikimit të viktimës së skandalit seksual në shkollat që ju drejtoni. As emër dhe as mbiemër, as iniciale e as fytyra e vajzës nuk janë përdorur në gjithçka kemi transmetuar. Në të kundërt psikologia e shkollës në fjalë, bashkëshortja e njërit prej profesorëve të implikuar ka tentuar ta pyesë vajzën pas asnjë kujdes për identitetin e saj. Zonja Besa, një këshillë miqësore që të mos bëheni qesharake. Së pari gjeni kohë që të dënoni aktin skandaloz dhe autorët e tij dhe më pas nëse ju tepron koha dhe energjia, uluni dhe bëni gjyqin e medias. Kur të mbërrini në këtë pikë, bëni mirë të keni informacion të plotë më parë se për çfarë po shkruani. Ju paguheni me taksat tona dhe duhet ta bëni punën mirë dhe të mos i lejoni vetes lajthitje të tilla. Edhe pse këtë punë ua bëjnë këshilltarët se helbete ju nuk keni kohë se po reformoni arsimin, edhe këshilltarët zgjidhi pak të lëçitur që të mos ju bëjnë gazi i botës. Tek e fundit dhe ata me taksat tona paguhen dhe duhet të dinë të bëjnë një punë. Me mediat e zgjidhe duke i bërë fajtore për situatën në arsimin që t’i drejton, por dorëheqjen ta ka kërkuar kryetarja e Komisionit të Medias dhe shoqëria civile, ndaj përgjigju atyre. Shpresojmë që jo të gjitha punët i bën si ky reagim ndaj këtij skandali të cilin duhet të ndihesh përgjegjëse si ministre dhe e prekur si grua, si familjare dhe si njeri. Për sot po të vëmë në dispozicion një kopje të emisionit të plotë. Kur të kesh kohë hidhi një sy, për herë tjetër shpresojmë të të vlejë këshilla e sotme sepse ne të sigurojmë se do vazhdojmë të denoncojmë skandalet në arsim dhe kudo qofshin”, thuhet në reagimin e emisionit “Stop”.

Drejtuesi i emisionit Saimir Kodra e konsideroi si “një paçavure, një pafytyrësi, një idiotizëm” reagimin e ministres së Arsimit Besa Shahini.

“Besa sigurisht unë po të flisja vetë, por të gjithë më kanë mbajtur se “goja jote është hale”. Më ndje dhe realisht me ty do ta përdorja deri në fund, do ta pastroja sifonin e kësaj haleje deri në fund. Kjo që ke shkruar këtu do ta them se nuk e mbaj dot. Është një paçavure, është një pafytyrësi, është një idiotizëm, sepse më bën të kuptoj që nuk e ke parë kurrë emisionin. Nëse në emisionin tonë do gjesh një iniciale, një emër unë largohem. Besa nuk e di se ç’qasje do të kesh kur të mos jesh më vartësja e Edi Ramës dhe të lexosh një reagim të tillë të një ministreje, kur të kuptosh që fëmija diskriminohet, ka bullizëm dhe më tepër kur ka abuzim seksual. Këtë fjalinë mbaje dhe do të të shërbejë të bësh kaush për të hëngër gështenja se të bën mirë për stresin”, tha ai./tvklan.al




Grupi
LAJMET
Të ngjashme


Grupi