Tofik Hyka është biznesmeni të cilit iu bë atentat paraditen e sotme në qendër të Tiranës, pranë stadiumit “Selman Stërmasi” dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Tofik Hyka ka lindur në Tiranë më 27 mars 1961 dhe është baba i dy vajzave 28 dhe 25 vjeç dhe i një djali 23 vjeç. Biznesmeni Tofik Hyka është djali i ish të dënuarit politik, Hysen Hyka.

Gjyqi me vëllain Sinan Hyka

Tofik Hyka ka pasur edhe një konflikt pronësie me vëllain e tij Sinan Hyka. Konkretisht më 14 qershor të vitit 2012, Sinan Hyka ka bërë padi civile në Gjykatën e Tiranës ndaj vëllait Tofik Hyka , duke kërkuar që të njihet si pronar i një toke me sipërfaqe 350 metër katror në fshatin Lalm të Tiranës.

Në padinë e civile, Gjykata e Tiranës vendosi që Sinan Hyka, vëllai i biznesmenit Tofik Hyka, të njihet si pronar i pjesës së tokës që i takon. Këtë vendim të vitit 2012, biznesmeni Tofik Hyka e ankimoi në Gjykatën e Apelit Tiranë. Në vitin 2014, edhe Gjykata e Apelit të Tiranës vendosi gjithashtu që Sinan Hyka të jetë pronar i tokës në fshatin Lalm të Tiranës, duke rrëzuar ankimimin e biznesmenit Tofik Hyka.

Bizneset e Tofik Hykës

Tofik Hyka është pronar i shoqërisë “Fabiona” sh.p.k e hapur në vitin 1995 dhe pronar i ish-fabrikës së tullave në Vorë, si dhe i dy objekteve të tjera në Xhafzotaj në Durrës, Vila tek “Katër Rrugët e Shijakut”. Në 20 nëntor të vitit 2012, shoqëria e tij “Fabiona” është vendosur nën sekuestro konservative nga përmbarimi privat “Strati Bailiff’S Service” sh.p.k, për shkak të debive që Tofik Hyka kishte.

Fabrika e tullave në Vorë “Fabiona” ishte hedhur në ankand nga Agjencia Kombëtare e Privatizimit në vitin 1995. Ndërkohë më 7 shkurt 1997, objekti i ka kaluar në favor Tofik Hykës, i cili e ka blerë për 1 milionë Dollarë dhe deri në vitin 1999 investoi 1.4 milionë Dollarë të tjerë. Në harkun kohor të dy viteve, blerja fabrikës së tullave dhe investimet e bëra kapin shifrën e 2.4 milionë Dollarëve.

Ky objekt me sipërfaqe prej 42 hektarësh që ndodhet në autostradën Tiranë-Durrës iu njoh zyrtarisht si pronë Tofik Hykës në vitin 1999, kur përfundoi edhe pagesën e kësteve për blerjen e objektit sipas kontratës. Në këtë vit, vlera e këtij biznesi kapi shifrën e 6.9 milionë Dollarëve.

 

Shoqëria tjetër e Tofik Hykës, “EUROFABIONAHYKA” merret me përpunimin e gurit, mermerit e granitit. Kjo shoqëri është e fokusuar gjithashtu në tregti shumice dhe pakice; import dhe eksport dhe furnizim i porosive dhe mallrave të ndryshëm; shërbime të mbikëqyrjes dhe ruajtjes fizike dhe të objekteve; ndërtim, zhvillim dhe shërbime në fushën e turizmit.

Për atentatin ndaj 56-vjeçarit janë marrë në pyetje dhe familjarë të tij.

Përgatiti: Spartak Koka dhe Valdi Gjini.

/tvklan.al