Bledar Birçaj rreth 40-vjeç mbeti i vdekur pas një atentati me armë zjarri në qytetin e Vlorës.  Ngjarja  është regjistruar në zonën e quajtur Bishti i Kalldrëmit, teksa po udhëtonte me automjetin e tij tip BMW X5. Persona ende të pa identifikuar i kanë bërë pritë duke e qëlluar me breshëri plumbash, ndërkohë në trupin e viktimës mësohet se janë konstatuar deri në 7 plumba.

Birçaj fillimisht mbeti i plagosur dhe u transportua për në spital, por nuk mundi ti mbijetojë plagëve të marra. Autorët që kryen ekzekutimin e Birçajt janë larguar menjëherë dhe policia është vënë në ndjekje tyre. Sipas të dhënave, dyshohet se mjeti me të cilin udhëtonin vrasësit të jetë i vjedhur. Viktima shoqërohej edhe nga një tjetër person i cili u ka shpëtuar plumbave.

Bledar Birçaj nuk ishte një emër i panjohur për drejtësinë. Në Janar të 2011 ai u arrestua  në Vlorë si i dyshuar për vrasje, por në Korrik të të njëjtit vit u vendos  pushimi i hetimit penal  duke u lënë i lirë. 40-vjeçari i cili u ekzekutua me breshëri kallashnikovi ka qenë më parë i përfshirë në një tjetër ngjarje kriminale. Së bashku me vëllain e tij Eltonin, Bledar Birçaj, atë kohë 27 vjeç, kanë goditur me grushte juristin e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Ata e kanë dhunuar punonjësin e hipotekës për shkak të detyrës. Për këtë në atë kohë prokuroria nisi procedim penal në gjendje të lirë për dy të rinjtë. Viktima rezulton të jetë pronar i një lokali të njohur në Lungomare.

Klan News