Një incident i rëndë ndodhi sot në Bulevardin “Gjergj Fishta” në Tiranë. Një skelë ra nga një pallat në ndërtim duke lënë të plagosur dy këmbësorë, Hysen Lavdarin 70 vjeç dhe Imelda Shkëmbin 45 vjeç.

Detaje në lidhje me këtë ngjarje dha gazetari Besar Bajraktaraj, i cili ndodhej në vendin e ngjarjes.

“Grupi hetimor ka mundur të mbledhë të gjithë të dhënat e kësaj ngjarje. Tani është duke përfunduar ekspertizën. Sipas rindërtimit të skemës së grupit hetimor bëhet fjalë për këtë skelë e cila ka rënë në trotuar, nga kati i dytë i pallatit në ndërtim duke lënduar edhe dy personat që mbetën të plagosur, 70-vjeçarin dhe 45-vjeçaren”, raportoi gazetari.


Shenjat e gjakut në skelë dhe trotuar janë ende të freskëta.

Grupi hetimor në vendin e ngjarjes i ka dhënë ndihmën e parë mjekësore dy të plagosurve duke i dërguar në spital. Në momentin që ka rënë skela në pallat po punohej.

Sipas të dhënave nga spitali i Traumës, aty ku janë dërguar dy të lënduarit, 70-vjeçari është në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa 45-vjeçarja në gjendje stabël. I moshuari ka marrë dëmtime të mëdha në pjesën e kokës dhe i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Sipas policisë hetimet janë fokusuar sa i përket veprës penale të shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë. Gazetari Bajraktaraj raportoi se në vendin e ngjarjes mungonte një tunel kalimi për këmbësorët.

Është shoqëruar inxhinieri i pallatit dhe dy punëtorë. Duke qenë se pjesa e skelave ka qenë e dalë në pjesën e trotuarit, zakonisht në pallate në ndërtim vendoset një tunel kalimi për këmbësorët dhe bëhet sigurimi i plotë i të gjithë këtij rrugëkalimi që është i dedikuar për këmbësorët. Siç duket në rastin konkret nuk ka patur një tunel për kalimin e këmbësorëve”, raportoi gazetari./tvklan.al