Si u ekzekutua Hekuran Billa



Si u ekzekutua Hekuran Billa

15:35 12/06/2020

Atentatorët qëlluan 30 herë në drejtim të tij

Ky është momenti kur Hekuran Billa sapo është qëlluar për vdekje në Komunën e Parisit, lagjen më të populluar të Tiranës. Ai po shkonte për të marrë motrën, kur dy persona të maskuar e qëlluan brenda në makinë, në ecje e sipër.

Ishte ora 22:00, kur 40-vjeçari po afrohej në hyrjen kryesore të një qendre tregtare, nga ku do të dilte e motra, që sapo kishte mbyllur dyqanin e këpucëve që kishte në pronësi.

Një automjet i parkuar dysh i ka bllokuar rrugën dhe autorët kanë shfrytëzuar rastin për t’i dalë në krah makinës së tij, një BMV X6.

Hekuran Billa ka tentuar të largohet, duke goditur dy automjete të tjera, por atentatorët e kanë goditur plot 11 herë me një armë Automatik MP5, të përshtatur me silenciator.

Kjo foto ekskluzive e siguruar Televizoni Klan, vetëm pak minuta pas vrasjes, tregon precizionin me të cilin është qëlluar, brenda një perimetri të ngushtë në xhamin e shoferit, të makinës me timon anglez.

40-vjeçari ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Siç duket edhe nga kjo video e kamerave të sigurisë, në momentin e të shtënave, në zonë ka patur këmbësorë të shumtë, por fatmirësisht u kanë shpëtuar plumbave.

Ky është momenti kur mjekët marrin trupin e Hekuran Billës nga makina BMV, për ta çuar në morgun e Tiranës.

Pas ngjarjes autorët janë larguar me një makinë Benz të vjedhur në Kukës, ndërsa targat të vjedhura në Lezhë.

Ka dyshime se një tjetër automjet ka ndjekur lëvizjet e Hekuran Billës në Tiranë, para se ai të shkonte te Komuna e Parisit.

Ndërsa mjeti i përdorur në atentat u gjet i djegur në Pezë të Vogël.

Hekuran Billa kishte vetëm 5 ditë që ishte kthyer nga Belgjika. Në muajin Janar ai kishte hapur një biznes për dhënien e makinave me qira dhe kishte planifikuar ta inauguronte javën e ardhshme.

Burime nga grupi hetimor i thanë Televizionit Klan se pista kryesore e hetimeve është ngjarja e ndodhur në Britaninë e Madhe në vitin 2006, ku Hekuran Billa ka vrarë 20-vjeçarim Prel Marku dhe ka plagosur 3 të tjerë.

Familjarët e Billës janë shprehur në polici se e kanë mbyllur konfliktin e vjetër dhe se Hekurani nuk kishte çështje të hapura, por policia nuk e përjashton këtë ngjarje nga hetimet.

Një pistë tjetër me konflikte të lindura nga aktivitete të paligjshme në Belgjikë dhe Angli, ku disa media shkruajnë se Billa merrej me trafikun e drogës. 18 persona janë shoqëruar si të dyshuar për ngjarjen, por ata kanë mohuar të kenë lidhje me vrasjen dhe janë lënë të lirë.

Tv Klan




Të ngjashme