Prokuroria e Korçës ka kërkuar një dënimin me 24.6 vjet burg për 5 prej organizatorëve kryesorë të skemës mashtruese “Kapurani”. Sipas hetimeve ka rezultuar skema mashtruese e ngritur i ka shkaktuar shtetit një dëm mbi 1.5 milionë $. Për këtë çështje vijojnë të jenë në procese gjykimi të ndara edhe 7 persona të tjerë, 5 prej të cilëve inspektorë tatimorë.

Inspektorët e tatimeve, sipas organit të akuzës, kanë lejuar veprimet e paligjshme të kryera nga kompania e materialeve inerte “Kapurani Vjara”, duke e ndihmuar këtë të fundit që t’u shmanget detyrimeve tatimore, si edhe të realizojë një skemë mashtrimi, me qëllim fshehjen e të ardhurave.

Koka e kësaj skeme mashtruese është Foto Kapurani, administrator i disa kompanive në fushën e betonit dhe hotelerisë. Së bashku me miq dhe bashkëpunëtorë të tij, ai ka krijuar disa kompani, në të cilat kryenin shit-blerje fiktive betoni, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore.

Nga hetimi i Prokurorisë së Korçës ka rezultuar se Kapurani ka shitur në mënyrë informale rreth 45 mijë ton beton, si edhe mallra të tjerë, duke iu shmangur dukshëm detyrimeve fiskale.

Dënimet që kërkon prokuroria

-Foto Kapurani, i hetuar me masën “Arrest në burg”, të dënohet me 7 vjet e 6 muaj burgim

-Vangjush Çerepi, i hetuar me masën “Arrest në shtëpi”, të dënohet me 6 vjet burgim

-Erion Berberi, i hetuar me masën “Arrest në burg”, të dënohet me 4 vjet e 6 muaj burgim; (t’i

pezullohet dënimi dhe të vendoset në shërbim prove për 3 vjet)

-Arjan Seferi, i hetuar me masën “Arrest në burg”, të dënohet me 3 vjet e 6 muaj burgim

-Dhimitri Metellari, i hetuar me masën “Arrest në burg”, të dënohet me 3 vjet burgim

Procesi ndaj këtyre të pandehurve është zhvilluar me gjykim të shkurtër dhe ata përfitojnë uljen me 1/3 e dënimit nëse shpallen fajtorë.