Autoritetet shqiptare janë vënë në alarm, pas marrjes së një informacioni për një plan për eliminimin fizik të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Për këtë qëllim, prej fillimit të javës, Garda e Republikës e ka marrë në ruajtje Bashën dhe masat e sigurisë janë shtuar ndjeshëm.

Ai lëviz me shërbime të përforcuara dhe rojet e sigurisë janë shtuar edhe pranë banesës së tij në Tiranë.

Informacioni ka mbërritur nga jashtë vendit në adresën e shërbimeve të specializuara të sigurisë.

Atentati thuhet se ishte organizuar jashtë Shqipërisë dhe për ekzekutimin e tij ishin kontraktuar vrasës me pagesë, të njohur si persona të rrezikshëm, të cilët thuhet se ishin pajtuar edhe në vitin 2011, për të organizuar një atentat ndaj një tjetër politikani të rëndësishëm në vend, për të shkaktuar trazira, për shkak të gjendjes së tensionuar politike, që po kalonte vendi edhe në atë kohë.

Televizioni Klan mësoi se për këtë qëllim, Kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror ka zhvilluar takime me Kryeministrin e vendit dhe Ministrin e Brendshëm.

Ai u ka vënë në dispozicion atyre të gjithë informacionin e marrë, duke përmendur edhe emra konkretë të personave të përfolur si ekzekutues të skenarit.

I pyetur për këtë skenar presidenti i Republikës tha se agjencitë ligj-zbatuese po konsiderojnë me shumë seriozitet çdo kërcënim që lidhet me sigurinë e kryetarit të opozitës.

 Një burim konfidencial tha për Televizionin Klan se qëllimi i këtij plani, të thurur jashtë Shqipërisë është destabilizimi i Shqipërisë dhe Rajonit, nisur nga situata e ndezur politike në vend, me opozitën që kërkon rrëzimin e qeverisë prej afro dy muajsh.

Sipas të njëjtit burim, atentati do t’i faturohej qeverisë, me qëllim ngritjen e opozitës në një revoltë të dhunshme, çka do të rrezikonte kaosin në vend.

Tv Klan