Tre herë është parë Kancelarja gjermane Angela Merkel që të dridhet në publik. Hera e fundit ishte dy ditë më parë gjatë pritjes zyrtare me Kryeministrin finlandez. Ndërsa dje, Kancelarja Merkel kishte ndryshuar strategji. Ajo kërkoi ndryshim protokolli dhe në pritjen zyrtare në Berlin me Kryeministrien daneze, u pa e ulur në karrige gjatë ekzekutimit të himnit kombëtar.

Merkel ka siguruar vazhdimisht qytetarët e saj se është në gjendje të mirë dhe është e aftë t’i shërbejë Gjermanisë deri në fund të mandatit në vitin 2021. Revista “Focus” ka publikuar disa skenarë të rinj për shëndetin e Merkel, se cili është shkaku që i jep të dridhura.

Njëra pistë mund të jetë ankthi. Gjendja e fortë e ankthit mund të shkaktojë dridhje, të cilat në këtë rast konsiderohen një reagim normal i muskujve të trupit.

Stresi është një tjetër faktor që mund të shkaktojë dridhjen e Merkelit. Ekspertët thonë se kur stresi është në nivele të larta, është normale ky reagim i trupit.

Një mundësi tjetër mund të jetë mungesa e vitaminës B12, e cila i shkakton të dridhurat.

Vetë Kancelarja Angela Merkel ka thënë më herët se të dridhurat i janë shkaktuar si pasojë e dehidratimit. Megjithatë, ka dyshime se problemi i Kancelares gjermane mund të jetë nervor.

Disa javë më parë, mediat e huaja shkruanin se shërbimet sekrete të disa shteteve ishin vënë në lëvizje për të zbuluar problemin shëndetësor të Angela Merkel. /tvklan.al