Futbollistët e kombëtares bëjnë thirrje për vetëizolim

Veç pezullimit të të gjitha aktiviteteve sportive në vend, skuadrat kanë pezulluar edhe stërvitjet, ndërsa sportistët janë vetëizoluar në shtëpi, ashtu pjesa tjetër e popullsisë.

Nuk ka një datë të saktë të rifillimit të aktiviteteve, por e sigurtë që do të ndodhë pas 3 prillit, gjithnjë nëse situata do të jetë stabilizuar. Duke qenë se futbollistët janë pa stërvitje, do t’u jepet të paktën dy javë kohë për të kapur ritmin dhe në rastin më të mirë, kampionatet mund të nisin në fund të prillit ose në fillim të majit.

Ky skenar është pak a shumë edhe në vendin fqinj Itali. Megjithatë, FSHF po qëndron në kontakt edhe me UEFA-n, e cila pritet që këtë të martë të japë edhe udhëzimet më të fundit. Futbolli shqiptar është më pak i rrezikuar nga vendet e tjera, pasi skuadrat tona nuk marrin pjesë në Kupat e Europës dhe Kombëtarja nuk është kualifikuar për në Europianin e këtij viti.

Nga ana tjetër FSHF, nëpërmjet futbollistëve dhe futbollisteve të Kombëtares u është bashkuar thirrjeve drejtuar qytetarëve për të qëndruar në shtëpi. Për t’i ndërgjegjësuar që të gjithë të mos largohen nga banesat e tyre, duke ndihmuar që të ngadalësohet vala e infeksionit, janë mobilizuar edhe kuqezinjtë. Kapiteni i kombëtares Elseid Hysaj nga Napoli këshillon qëndrimin në shtëpi

Edhe dy futbollistet e Kombëtares, Mikaela Metalla dhe Suada Jashari, dërguan mesazhet e tyre me moton: “Qëndroni në shtëpi”.

Tv Klan