Në një lidhje në Skype, për emisionin “Historia ime” në TV Klan drejtori i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj u shpreh se çdo lëvizje apo fluks i vogël njerëzish është një burim infeksioni, për personat me imunitet më të dobët.

Më tej, doktori shton se është e rëndësishme ruajtja e distancës sepse nëse nuk mbrohemi natyrisht do ta marrim atë.

Skënder Brataj: Çdo lëvizje e afërt dhe pa mbrojtje, çdo fluks i vogël njerëzish në këtë moment është burim infeksioni për njerëzit më të dobët, më të prekshëm, që janë me imunitet më të vogël në këto momente. Personat që janë me sëmundje kronike, sidomos po t’i shtohet dhe koronavirusi është goditje fatale për ta. Pra personat që dalin, duhet të dalin vetëm për nevoja të domosdoshme, ushqimi, uji, farmacia, shërbimet e higjenës dhe të dalin një person për familje dhe jo të shoqërohet nga të tjerë dhe sidomos jo fëmijë me vete, as në supermarkete, as në shërbime të tjera të domosdoshme. Edhe ruajtja e distancës sepse dihet saktësisht tani që ky virus, transmetohet nëpërmjet spërklave të përshtymës, tështimave dhe po s’u mbrojtëm natyrisht do ta marrim atë.

Mirela Milori: Kur pritet të jenë shifrat më të larta?

Skënder Brataj: Eksperienca botërore, si Kina dhe Italia tregoi se dy-tre javët e para janë problemi kulmor i kësaj gjendjeje, kur të mbërrihet piku i numrit të infektimeve dhe rënia e tyre, ajo është gjendja kur filon të dominohet infeksioni. Nëse ndjekim këtë trend është edhe 2-3 javë./tvklan.al