Trajneri: Ambiciet e mia janë të njëjta me të klubit

Skënder Gega është prezantuar si trajneri i Kukësit për sezonin e ardhshëm. Gega kthehet në Superligë pas një sezoni dhe një suksesi të madh kur shpalli Partizanin kampion vitin e kaluar. Me Kukësin nuk bën premtime, por thotë se ambiciet janë të njëjta me klubin.

“Ambiciet e klubit, të kryesisë dhe Safet Gjicit janë ambiciet e mia”.

Kukësi në vitet e fundit ka kërkuar trofe dhe pritet që ky të jetë synimi i sezonit të ri. Megjithatë Skënder Gega do ta nisë me pjesëmarrjen në Europa League.

“Të bëjmë një paraqitje dinjitoze të marrim maksimumin dhe pse jo të kalojmë turin”.

Në dallim nga disa ditë më parë kur Kukësi doli me njoftim se merkato është e bllokuar për shkak të një mosmarrëveshje me lojtarin kroat, Filip Zderic, drejtori sportiv tha se nuk ekziston diçka e tillë.

“Merkato jonë nuk është e bllokuar. Çështja është apeluar në CAS dhe nuk ka asnjë vendim që mund të bëjë këtë gjë”.

Gjithsesi te Kukësi kanë pak kohë për tu përgatitur, pasi ndeshja e parë në Europa League do të luhet pas rreth 3 javësh.

Tv Klan