Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, socialdemokratët dhe socialistët do të kenë të përbashkët vetëm luftën për të mos sjellë të djathtën në pushtet. Sipas kryetarit, Skënder Gjinushi, socialistët  historikisht në zgjedhje kanë dashur të përçajnë Partinë Socialdemokrate.

Skënder Gjinushi: “Partia Socialdemokrate s’ka si të përçahet më. Ç’kish për të bërë u përpoqën. U përpoqën në 2001-shin që ne të kishim rezultat sa më minimal. Na hoqën dhe një deputet, Met Dushkun. Një deputet me Gjykatën Kushtetuese. Një e blenë rrugës, që krijuan dhe PSD-në, mbrapsht PDS, me tentativën që të eleminojë elektoralisht Partia Socialdemokrate. Pas tetorit 2003, çdo përpjekje për diversion, apo për çdolloj loje në PSD, tregon vetëm që dikush mund ta ketë sëmundje diversionin, por nuk ka më rezultat. Thjesht në një koalicion nuk do të thotë të jesh unik në çdo veprim e çdo mendim. Dhe ajo që na dallon sot është që ne vlerësojmë që qysh me raportin e parë të BE-së në Prill, duhet të ishte proceduar me ndryshime rrënjësore, tepër serioze dhe konkrete dhe jo me deklarata. Janë përshëndetje për ndryshimin. Dhe këtë e kemi bërë dhe publike dhe kanë qenë konstantja jonë deri në Dhjetor.”

Drejtuesi socialdemokrat, Skënder Gjinushi, thotë se mosrealizimi i reformës zgjedhore brenda vitit të premtuar 2004 pritej, pasi Partia Socialiste dhe ajo Demokratike po paguajnë tashmë anti-kushtetushmërinë që gatuan me Komisionin e Dytë bipartizan. Megjithatë, Gjinushi mbron tezën e socialistëve se në zgjedhjet e ardhshme mund të përdoret e njëjta ndarje zonale.

Skënder Gjinushi: “Kemi paralajmëruar atëhere Partinë Socialiste që ky është një kurth sepse ky Komision do të ketë të njëjtin frut dhe duke i dhënë Berishës mundësinë e bllokimit, atëhere ose do pranosh gjëra të papranueshme, siç është paketa Gjana-Ruka dhe që kërkohet të përmirësohet tani, ose duhet të, do të bllokojë Komisionin, siç rezultoi. Nuk kondicionohen zgjedhjet nga zonat në kushtet aktuale sepse në fund të fundit ligji është proporcional. Kështu që, shqiptarët si të jenë këtej gardhit, si matanë gardhit, dmth pavarësisht si ndahen zona, votën do e japim për partitë së pari, pastaj për individin.  Dhe votat për partitë do të caktojnë fatin e zgjedhjeve, nuk cakton vota për individin. Vota për individin, cakton fatin e individit./tvklan.al