Lajme Arkiva – TV Klan 2002

Në mbylljen e veprimtarisë politike për këtë vit, socialdemokratët kanë gjetur rastin për t’i propozuar PS, unifikimin e së majtës shqiptare. Para se të bënte gëzuar me anëtarët e partisë së tij, kreu socialdemokrat Skënder Gjinushi në një analizë të shkurtër të situatës politike në vend ka deklaruar se të majtët shqiptarë duhet të ndërmarrin të njëjtat hapa ashtu si opozita për t’u bashkuar në një koalicion efektiv, si e vetmja mënyrë për të fituar zgjedhjet lokale të vitit 2003.

Skënder Gjinushi:- “Ky është një mesazh që ne vlerësojmë, që duhet ta përcjellim dhe ashtu si po flitet gjithnjë e më shumë, që në 2003 do të ketë negocime në krahun e djathtë, e majta duhet t’i kundërpërgjigjet me të njëjtat hapa, pra ne vlerësojmë që edhe nga ana e PS duhet të ketë të njëjtën lëvizje”.

Për herë të parë pas 6 muajsh, zoti Gjinushi, në bilancin vjetor nuk e sulmoi marrëveshjen e quajtur Nano-Berisha, për të treguar se bisedimet për bashkëpunimin konkret duhet të fillojnë sa më shpejtë, Gjinushi ka treguar se është i gatshëm të marrë përsipër rolin e negociatorit me partitë e qendrës së majtë për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme politike./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço