Mercologu Skënder Hekuri ishte i ftuar në programin “Historia ime”, në Tv Klan. Ai prej 44 vitesh është menaxher në fushën e shërbimit dhe turizmit.

Sipas tij, pandemia dhe situata e krijuar prej saj në vendin tonë, nuk ka ndikuar shumë në turizmin detar dhe ata janë në kohën e duhur për të përzgjedhur dhe menaxhuar ndërtimin dhe hapjen e sezonit turistik.

Më tej, ai shton se e veçanta e këtij viti është se për herë të parë në Shqipëri, turistët do jenë 100% shqiptarë.

Skënder Hekuri: Aktualisht turizmi, nëse do do referohemi vetëm turizmit detar jemi në kohën e duhur, nuk është se ka ndikuar shumë. Jemi në kohën e duhur në përzgjedhjen dhe në të gjithë mënaxhimin e ndërtimit të organogramës, për ndërtimin dhe hapjen e sezonit turistik. Sepse sezoni turistik detar nuk hapet në Prill, pavarësisht se gati 40 % e hotelerive qëndrojnë të hapura të gjithë periudhën 1-vjeçare. Është për të falenderuar dhe Zotin, që Shqipëria ka 360 ditë me diell. Kështu që ne akoma jemi në kohë.

Mirela Milori: Dakord ju mendoni se jemi në kohë dhe mund të hapen, por kush do vijë? Të gjitha bëhen që të vijnë turistë si shqiptarë dhe të huaj, këtë vit kush do jenë turistët?

Skënder Hekuri: Ajo ideja juaj, bën të veçantë turizmin shqiptar, që për herë të parë në Shqipëri, në vitin 2020 do jenë 100% turistë shqiptarë. Të gjitha shpenzimet do shkojnë rreth turizmit, që kështu mendoj në një formë ose në një tjetër do të na edukojë ne, se si do të zgjedhim dhe të planifikojmë pushimet. Sepse nuk është më ajo koha që ne planifikonim 15 ditë për të bërë pushime, tani turizmi ka mbi 5 vjet që është kthyer vetëm në fundjavë, siç janë zonat e jugut qoftë dhe zona e Detit Adriatik në Durrës apo në Golem janë në fundjavë, domethënë mysafirët vijnë të premte dhe largohen të dielën./tvklan.al