U vendos nga një 11-metërsh i paqenë. Finalja e Kupës së Shqipërisë u fitua nga Skënderbeu që në mesin e pjesës së dytë fitoi një penallti. Në fakt ndërhyrja e Gjonit ndaj James ishte në hyrje të zonës, jo brenda saj. Fillimisht kryesori Hasmiti u ndal për të akorduar goditje dënimi por pas konsultimit me gjyqtarin Jorgji pas porte, vendosi të akordonte penallti.

Kontestuan laçianët madje ashpër por tashmë vendimi ishte marrë.

Sabien Lijaj përballë Selmanit nuk dyshoi aspak në aftësitë e tij dhe ktheu penalltinë në gol. Gjatë gjithë sezonit xhaketat e zeza të Superligës janë akuzuar nga shumë klube por edhe në këtë finale ata rezultuan vendimtarë.

Pjesa e mbetur e ndeshjes ishte një përpjekje e Skënderbeut për të siguruar rezultatin dhe Laci që kërkonte të çonte takimin në shtesa. Goli i barazimit për ta nuk erdhi. Një aksion që mund të kishte rezultuar i rrezikshëm u ndërpre nga Marko Radas me ndërhyrje të gabuar dhe dy minutat e fundit të lojës Skënderbeu i luajti me 10 lojtarë.

Skënderbeu fiton për herë të parë trofeun e Kupës së Shqipërisë. Po ashtu për herë të parë Korçarët sigurojnë dy trofetë e sezonit. Nëse në Shqipëri janë të papërmbajtshëm, tashmë lufta e tyre është me UEFA-n. Beteja ligjore për të marrë pjesë në Kupat e Europës vazhdon.

Tv Klan