Ekipi i Skënderbeut kërkon shfuqizimin e dënimit që e përjashton 10 vjet nga aktivitetet sportive në Europë. Drejtuesit e klubit u paraqitën të martën në Lozanë, në seancën dëgjimore në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv ku dhe paraqitën argumentet e tyre. Vendimi i Komisionit të Disiplinës së UEFA-s që u mor vitin e kaluar pati edhe gjobë prej 1 milionë Euro.

Klubi korçar përjashton mundësinë e përfshirjes në trukim në ndeshjet e sezonit 2015-2016, duke e quajtur të padrejtë. Gjykata e Arbitrazhit Sportiv pritet të dalë në një përfundim brenda një muaji.

“Për momentin akoma nuk është ndarë kur del vendimi, por një afat ekziston që është një muaj pas seancës”

, thotë përfaqësuesi i Skënderbeut, Oldjan Lulja.

Në rast se shfuqizohet dënimi, drejtuesit e Skënderbeut do të kërkojnë edhe dëmshpërblim nga UEFA, për mungesën e pjesëmarrjes në kupat e Europës. Ekipi korçar, edhe pse u shpall kampion, nuk mori pjesë në Champions League këtë sezon. Skënderbeu u la jashtë kupave të Europës edhe në vitin 2016 po me akuzën për trukim ndeshjesh.

Tv Klan