Skënderbeu nuk ka më asnjë shpresë për të luajtur në Europë për 10 vite. Klubi korçar njoftoi se Gjykata Federale e Zvicrës, e rrëzoi rekursin që Skënderbeu i bëri vendimit të Arbitrazhit të Lozanës.

Në këtë komunikim në rrjetet sociale, Skënderbeu thotë se kishte argumente të pakundërshtueshëm, por 3 nga 5 anëtarët e trupit gjykues morën vendimin për rrëzimin e kërkesës së Skënderbeut.

Disa herë kampionë të Shqipërisë në vitet e fundit, Skënderbeu premton se do të shqyrtojë mundësinë për t’iu drejtuar Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Gjithashtu premtojnë se do të vazhdojnë në rrugën e suksesit futbollistik, por vetëm dy ditë më parë nga zyrat e klubit rrodhi lajmi i emërimit të Julian Ahmatajt si trajner me projektin e ndërtimit të një skuadre që do të rrisë talente për t’i bërë të aftë për klubet e tjera të Superligës, ose futbollin jashtë Shqipërisë.

Tv Klan