Biznesmeni dhe ish-menaxheri i Babastars, Albert Krasniqi u përcoll këtë të enjte për në banesën e fundit, në qytetin e Prishtinës. Në varrim u vu re një numër i madh njerëzish, familjarë, miq e të afërm, por edhe ish-Miss Kosova, Besa Gashi, e cila me Krasniqin ka një vajzë.

Martesa mes tyre duket se kishte ardhur drejt fundit para pak kohësh, një lajm i cili në media u raportua 5 ditë më parë.

Por një ditë pas vrasjes së Krasniqit, detaje të reja flasin për një sjellje të dhunshme të tij ndaj Gashit. Ai dyshohet se e kishte dhunuar fizikisht nënën e vajzës së tij. Kjo kishte bërë që ajo ta denonconte në polici dhe autoritetet në Prishtinë ishin në kërkim të Krasniqit.

Ky fakt, gjithnjë sipas asaj që raportojnë duke cituar burime mediat në Kosovë, kishte qenë edhe shkak për debat mes tij dhe të atit, sipërmarrësit Skënder Krasniqi. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse debatet mes tyre përshkallëzuan deri në përdorimin e armës.

Autoritetet në Kosovë, konfirmuan këtë të enjte se autor i dyshuar i vrasjes së Albert Krasniqit është pikërisht i ati. Babë e bir ndodheshin në garazhin e pallatit ku jetonin prej vitesh në Prishtinë, kur rreth orës 17:00 të së mërkurës, Skënder Krasniqi hapi zjarr ndaj të birit.

Teksa njoftoi nisjen e hetimet për vrasje e armëmbajtje pa leje, prokuroria kërkoi për Skënder Krasniqin një muaj paraburgim.

“Personi i lartcekur, dyshohet se më 27 janar 2021, rreth orës 17:00, me armë zjarri ka privuar nga jeta personin me inicialet A.K., (djalin e tij), në garazhin e objektit banesor të tyre, nga motive të panjohura deri më tani”, thuhej në një njoftim të organit të akuzës.

Por avokati i Skënder Krasniqit, në një prononcim për Klan Kosova, pretendoi se vrasja kishte qenë aksidentale. “Ishte aksidentale, nga pakujdesia. Skënderi është në gjendje shumë të keqe, i mërzitur shumë”, tha ai.

Se çfarë ndodhi ekzaktësisht në garazhin e pallatit pritet të zbulohet pasi autoritetet të zbardhin dinamikën nga kamerat e sigurisë, që besohet të kenë filmuar të gjithë skenën, ashtu sikurse edhe vetë dëshminë e autorit të dyshuar të ngjarjes. Në vendngjarje policia sekuestroi një pistoletë, një karikator, tre fishekë, një gëzhojë dhe një predhë.

Albert Krasniqi ishte një personazh me një të shkuar shpesh problematike, që nga plagosja me armë zjarri e ndodhur në 2016-n ndaj reperit Noizy, e deri tek dhuna që siç duket ushtronte në familje./tvklan.al