Spahn thirrje Rusisë: Mos injektoni vaksina pa përfunduar testet

Pretendimi i Rusisë së ka gati të parën vaksinë për mbrojtjen nga koronavirusi shihet me tepër skepticizëm nëpër bot. Teksa kjo vaksinë nuk i ka kaluar të gjitha fazat e testimit për efektet që jep pas injektimit, ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, paralajmëroi në një intervistë në radio se personave të cilëve ajo do t’u injektohet mund të mos u bëjnë më efekt vaksinat e tjera, nëse produkti rus nuk u jep rezultate.

“Mund të jetë tepër e rrezikshme të nisësh vaksinimin e miliona apo miliarda njerëzve në mënyrë të parakohshme. Nëse vaksina nuk jep efektet e duhura, kjo mund të shkatërrojë pranueshmërinë e organizmit njerëzor për vaksinat e tjera. Prandaj jam tepër skeptik për atë që po ndodh në Rusi”, tha ai.

Edhe zyrtarët e OBSH-s i kërkuan Moskës të mos nisë fushatën e vaksinimit pa pasur rezultatet e të gjitha fazave të testimit tek njerëzit. OBSH thotë se deri më tani nuk ka marrë asnjë të dhënë nga zyrtarët rusë për provat e kësaj vaksine tek njerëzit e rrjedhimisht nuk mund ta certifikojë për përdorim. Presidenti rus Vladimir Putin njoftoi të martën se vaksina ishte gati edhe pse faza e tretë e testeve tek njerëzit ka pak ditë që ka nisur. Për këtë arsye ende nuk mund të konsiderohet krejtësisht e sigurt për t’u përdorur për nisjen e fushatës së vaksinimit në muajin Tetor.

Ndërkohë qeveria amerikane nënshkroi një marrëveshje me vlerë 1.5 miliard dollarë me firmën farmaceutike Moderna për furnizimin me 100 milionë doza, kur të ketë gati vaksinën. Kjo firmë është e para në botë që nisi testimin tek njerëzit dhe pritet që të ketë gati një vaksinë të sigurt, në fillim të vitit të ardhshëm.

Tv Klan