Ekipi i rinovuar kuqezi provoi forcat në SES Cup

Nga Kolashini në Malin e Zi në drejtim të Cortina d’Ampezzo në Itali priten rezultate që do të kënaqin të gjithë besoj edhe tifozët. Shqipëria u rendit e dyta në Ses Cup në Kolashin, një aktivitet mes vendeve ku sporti skive është në zhvillim, por që shërbeu edhe për pikë olimpike. Mes skiatorëve shqiptarë ra në sy Kevin Qerimi, 16-vjeçari i cili jeton në Itali.

“Gara shkoi shumë mirë, tani do të shohim rezultatin, por bora ishte mirë pista po ashtu”, tha ai.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Skive, Elvis Toçi është i lumtur për rezultatin.

“Është një ekip që me më të mirët e Ballkanit ne ndjehemi më të barabartë dhe pse jo fitues”, tha Toçi.

Kombëtarja e Skive po rinovohet. Grupit të kuqezinjve i është bashkuar edhe një vajzë me mama shqiptare, Chiara Di Camillo, e cila na tregon si ndjehet si pjesë e ekipit.

“Jemi më shumë si një familje, pasi jemi pak skiatorë dhe unë për momentin jam e vetmja femër dhe kam më shumë mundësi të garoj”, tha ajo.

“Është bërë një punë e mirë për gjetjen e talenteve në trevat ku mund të bëhet ski dhe jetojnë shqiptarë, në Itali, Zvicër e Francë”, tha Etrit Xhuglini, Sekretar i Federatës Shqiptare të Skive.

Te djemtë numri i skiatorëve është më i lartë.

“Më në fund kemi djem më shumë se sa vetëm unë siç isha ku mund të kemi shpresa për më vonë”, tha Erjon Tola.

Ata duan që të jenë gati për Botërorin që do të nisë më 8 Shkurt dhe do të zgjasë rreth 2 javë, ku kërkohet kualifikimi në finale.

“Jam gati për këtë garë, pasi është më e rëndësishmja duke përfshirë olimpiadën dhe do të jap maksimumin për vendin tim Shqipërinë”, Tha Enzio Leonetti.

“Duhet vetëm punë këtë 1 muaj, vetëm stërvitje për të arritur një rezultat sa më të mirë”, tha Vasil Veriga .

Skitë shqiptare po kthehen konkurruese duke u mbështetur te këta të rinj.

Tv Klan