Një punonjës bamirësie nga Skocia pritet të lirohet pas 11 vitesh burg për abuzim më disa fëmijë në Shqipëri, pasi akuzuesit pranuan se ishin detyruar të gënjenin në gjykatë. David Brown nga Edinburghu ishte dënuar me 20 vite burg pasi u akuzua për abuzim nga dy fëmijë që qëndronin në shtëpinë, që ai kishte ngritur për fëmijët me probleme.

Por, djemtë tani 18 dhe 22-vjeç, thonë se kanë gënjyer në gjykatë pas presionit të policisë dhe psikologes për të bërë deklarata false. Të dy të rinjtë i thanë gazetës “Sunday Mail” se ata ishin të gatshëm të pranonin se kishin gënjyer – një lëvizje që do të çonte në lirimin e Brownit.

Një total prej dhjetë djemsh dëshmuan kundër dy bashkëpunëtorëve të Brownit,  52-vjeçarit Dino ­Christodoulou dhe 63-vjeçarit Robin Arnold, të cilët tashmë janë dënuar për pedofili. Brown, i cili gjithmonë ka pretenduar pafajësinë beson se makthi i tij në kryeqytetin shqiptar mund të jetë duke shkuar drejt fundit.

Në një prononcim për ‘Sunday Mail” nga qelia e tij e burgut, ai tha se do të qëndrojë në Shqipëri për të vazhduar punën kur të lirohet. Njëri prej dy dëshmitarëve që dëshmuan kundër Brown, 22-vjeçari Andon Qoshlli, tha se dëshiron të tërheqë akuzën që kishte bërë kur kishte qenë 13-vjeç.

Andon Qoshlli (majtas) dhe Denis Aliu

“Psikologu the oficeri i policisë hetimore më shtynë të thosha se David kishte abuzuar me mua. Ai nuk ka abuzuar dhe më vjen keq që është në burg”, tha ai.  Qoshlli tha se dëshironte t’a shikonte Davidin të liruar. “Ai na mori nga rruga dhe na çoi në shkollë,” tha Andoni. Ndërsa Denis Aliu, tani 18-vjeç tha se ai ishte terrorizuar si 6-vjeçar kur ishte keqtrajtuar nga policia për të thënë se ishte abuzuar nga David.

Avokatja e Brownit, Gjystina Golloshi, tha se dëshmitë e të dy djemve ishin shumë të dobëta dhe ishin dhënë pasi ishin frikësuar nga policia dhe hetuesit. Ajo thotë se me dëshmitë e reja, autoritetet nuk do të kenë zgjedhje tjetër veçse t’i japin lirinë kurë Gjykata e Lartë t’i dëgjojë. Golloshi tha se hetuesit kishin munguar në një sërë seancash gjyqësore që do t’i hapnin rrugë lirimit të tij brenda vitit, përfshirë edhe një seancë të enjten e kaluar.

Me 20 mars ata do të duhet të paraqiten para Gjykatës së Lartë për të dëgjuar dëshmitë e dy të rinjve që tashmë janë mbi 18-vjeç.

Brown udhëtoi drejt Shqipërisë në vitin 2000 pasi ishte përfshirë në një organizatë ndihmash skoceze që ndihmonte refugjatët që kalonin kufirin për t’i shpëtuar luftës së Kosovës.

Vitin tjetër, me ndihmën e kishave në Shqipëri dhe Britani, ai hapi një jetimore, për të cilën u akuza më pas edhe për abuzime me fëmijët. Shumë fëmijë atë kohë dëshmuan në favor të tij. Ai kishte punuar me fëmijët për 35 vite në Skoci.

Në vitin 2006 policia bastisi jetimoren dhe arrestoi Brownin. Dhjetë djem, të moshave mes 4 dhe 13 vjeçare dëshmuan se ishin abuzuar seksualisht nga një apo më shumë prej tre britanikëve që kujdeseshin për ta.

Christodoulou dhe Arnold u ekstraduan nga Britania e Madhe dhe u gjykuan dy vite pas dënimit të Brownit. Christodoulou u dënua me 20 vite burgim ndërsa Arnold me 15 vite e gjysmë.

Brown ndodhet pas hekurave në Shqipëri që prej vitit 2006, dhe është i vetmi i huaj në burgun 302 në rrugën Mine Peza në Tiranë.

“Sunday Mail” tha se Prokuroria e Përgjithshme nuk iu përgjigj kërkesës së tyre për koment./tvklan.al