Vaksinat në Skoci po japin një efekt të jashtëzakonshëm. Sipas BBC dhe mediave të tjera britanike, vaksinimi me ritme të larta po jep rezultate të shkëlqyera, pas dhënies së dozës së parë. Sipas statistikave të Institutit të Shëndetit Publik në Skoci, 4 javë pas nisjes së procesit me vaksinat Pfizer dhe Astrazeneca, shtrimet në spitale janë reduktuar me 85%-94%.

Studimi është drejt publikimit të revistën shkencore Lancet dhe bazohet mbi të dhënat paraprake mbi statistikat elektronike mbi shëndetin e 5.4 mln qytetarëve skocezë, nga të cilët 1.14 mln i janë nënshtruar dozës së parë të vaksinës. Vaksinat sipas ekspertëve kanë patur rezultate tek të gjitha grupmoshat, ndërsa tek ajo me delikate, tek të moshuarit mbi 80 vjeç, reduktimi i shtrimeve në spital llogaritet në 81%.

Politika që po ndiqet aktualisht nga Britania e Madhe është vonimi i dozës së dytë të vaksinës, në mënyrë që të vaksinohen sa më shumë qytetarë me dozën e parë. Edhe studimi në fjalë është bazuar vetëm mbi dozën e parë të vaksinës.

Klan News