Luhet në Glasgow takimi i dytë i grupit D, me vendasit që kanë treguar se dinë ta surprizojnë rivalin

Skocia do të luajë kundër Republikës Çeke në orën 15:00 në “Hampden Park” të Gllasgout në takimin e dytë të Grupit D.

Në takimi e parë, Anglia mundi Kroacinë minimalisht më 13 Qershor në stadiumin “Uembli”.  Hera e fundit që skocezët morën pjesë në një kompeticion ndërkombëtar ishte në vitin 1998.

Optimizmi për këtë përballje është më i madh te skocezët, të cilët morën dy fitore në përballjet e Ligës së Kombeve kundër përfaqësueses çeke.

Skocia ka marrë vetëm 2 humbje në 16 përballjet, për më tepër që atmosfera është mjaft e mirë pas barazimit ndaj Holandës dhe fitores ndaj Luksemburgut në miqësoret e Qershorit.

Fitorja ndaj Shqipërisë 3-1 në miqësore ka risjellë paksa qetësinë te Çekia, që më herët u mund 4-0 nga Italia.

Kombëtarja ka treguar paqëndrueshmëri, por forca e saj duhet vlerësuar, nisur nga fakti që në mars mori një barazim me Belgjikën.

Në 1996, Çekia shkoi deri në finalen e Evropianit, pastaj në 2004 arritën në gjysmëfinale, ndërsa në 2012 shkuan deri në çerekfinale.

Kjo do të thotë se janë një kombëtare që eksperiencën e ka për të kaluar fazën e grupeve e për të shkuar më tej.

Nga ana tjetër, skocezët besojnë se e kanë grupin për të bërë surprizën, edhe pse në grupin D favorite për t’u kualifikuar në fazën pasardhëse janë Anglia dhe Kroacia.

Klan News