Humbja e Milanit dy javë më parë kundër Juventusit prishi hegjemoninë pa humbje të skuadrës kuqezi në kampionat. Kjo bëri që Milan të mos mbajë kolonën e humbjeve në shifrën 0 dhe rrjedhimisht nuk është më skuadra e pamposhtur.

Por, kush është skuadra që nuk ka pësuar humbje deri më tani, edhe pse është zhvilluar më shumë se gjysma e sezonit? Portugezët e Sportingut të Lisbonës janë ekipi i vetëm në dhjetë ligat më të mira europiane që nuk njeh humbje në kampionat.

Me katër pikë më shumë se Porto dhe Benfica, kryeqytetasit janë në rrugë të mbarë për të ngritur titullin kampion pas 20 vitesh mungesë. Sportingu dominon kampionatin portugez për momentin, teksa ka regjistruar vetëm 3 barazime në katërmbëdhjetë ndeshjet e zhvilluara dhe ka pësuar vetëm 9 gola.

Sportingu ka bërë më mirë se gjigantë të futbollit europian, që e kanë provuar të paktën një herë shijen e humbjes. Me një humbje deri në këtë pikë të sezonit janë Atletico Madrid, Milan, Az Alkmaar dhe Sturm Graz në Austri, ndërkohë që me 2 humbje gjenden Manchester City, Bayern Munich, Eintracht Frankfurt, Wolfsburg, Lille, Lyon dhe Zenit, teksa në Belgjikë, Brugge ka regjistruar plot 4 humbje./tvklan.al