Ish-futbollisti dhe trajneri Genc Tomorri ka qenë i ftuar sot në emisionin e mëngjesit, Aldo Morning Show. Ai ka bërë komentet dhe parashikimet e tij lidhur me kombëtaren shqiptare, për rrugëtimin e saj drejt Euro2024.

Aldo: Ku ka më shumë shpresë për marrje pike duke marrë parasysh edhe analizën e ekipeve?

Genc Tomorri: Unë kam edhe historikun. Mos të harrojmë që me Spanjën kemi një histori shumë të hidhur, por nuk e shoh aq të rrezikshme siç ka qenë në kampionatet e mëparshme europiane. Italinë e pashë në ndeshjen me Bosnjen, nuk ka lojtarë yje.

Aldo: Të krahasosh Italinë e ’82 që doli kampion bote me Italinë e tanishme do të thuash që u mor vesh që atëherë që Italia do të ishte diçka, ndërsa tani…

Genc Tomorri: Të thashë, nuk janë ato yje që kanë qenë gjithmonë, që vendosnin ato në çdo ndeshje. Tani janë shumë pak lojtarë në skuadra, të cilët kanë nivel më të lartë. Domethënë është ajo barazia e lojtarëve që mund të sjellë rezultat të papritur.

Aldo: Si e parashikon me Spanjën, Italinë dhe Kroacinë?

Genc Tomorri: Po të paktën të jemi të barabartë, pastaj loja do të vendosë.

Aldo: Thellë-thellë brenda teje, cila është pritshmëria që ke ti për ekipin tonë?

Genc Tomorri: Pritshmëria ime është sikur të marrim edhe dy barazime. Ka momente që të duket sikur je në avantazh, por një cilësi e një lojtari të skuadrës kundërshtare mund të përmbysë gjithçka, si goli i djeshëm që Italia ia bëri Bosnjes në zonë.

Aldo: Si e komentoni, që këto skuadrat e mëdha ta bëjnë hatanë në fund, në momentin që mendon se ia hodhe.

Genc Tomorri: Këtë kanë skuadrat e mëdha, fundin ose në momente të veçanta janë shumë të rrezikshme. Këtu dallohet edhe ekipi i madh me ato mesatar ose më të vegjël. Ashtu siç na ndodhi me Francën, në momentin e fundit hëngrëm golin.

Aldo: Cila është pika më e fortë e skuadrës sonë sipas teje?

Genc Tomorri: Për mendimin tim pika më e fortë duhet të jetë shpirti i garës. Jo çdo lojtar i veçantë, por të gjithë si grup. Nuk mund të shoh pika të forta sesa mund të shoh grupin e fortë./tvklan.al