Forbes: Barcelona parakalon Realin në krye, Juventus i 11-ti

Barcelona është skuadra që vlen më shumë në treg. Ky është klasifikimi i revistës ekonomike “Forbes”, që konfirmon spanjollët në krye të renditjes si ekipi që vlen më shumë në botë. Humbja në El Classicon me Realin e Madrid nuk e ka ulur vlerën e Katalanasve, madje ka bërë që Barcelona të parakalojë pikërisht madrilenët në këtë renditje.

Real Madrid kryesonte këtë renditje 2 vite më parë, teksa tashmë vlen 4.75 miliardë dollarë, distancuar me vetëm 10 milionë dollarë nga Barcelona kryesuese. Duke iu referuar këtyre statistikave, Forbes vë në dukje se 20 ekipet më të kushtueshme në botë kanë pësuar një rritje të vlerës së tyre me rreth 30% krahasuar me 2 vite më parë. Në këtë renditje speciale podi plotësohet nga Kampionët e Botës dhe Europës, Bayern Munih, me 4.215 miliardë dollarë.

Interesant është fakti që në 10 vendet e para nuk gjendet asnjë skuadër e Seria A, teksa dominojnë ato Angleze, me renditjen që vijon, Manchester United i katërti, Liverpool i pesti, Manchester City i gjashti, Chelsea i shtati, Arsenal i teti dhe Tottenham i dhjeti, ndërsa vendi i nëntë zihet nga PSG. Klubi më i kushtueshëm italian është Juventus, që vlen 1.95 miliardë dollarë.

Klan News