Grupet kriminale shqiptare po zgjerojnë aktivitetin e tyre në trafikun e qenieve njerëzore në Britaninë e Madhe. Një reportazh i televizionit britanik Sky News konstaton rritje me 35% të numrit të të trafikuarve drejt Britanisë për vitin 2017. Shumica e tyre janë shqiptarë.

Në shënjestër janë kryesisht të miturit dhe vajzat e reja që shfrytëzohen për prostitucion. Për gazetarët britanikë, ato rrëfejnë dhunën e përjetuar prej trafikantëve.

“Isha si pronë e tij. Pas dy muajsh isha e mavijosur. Priti derisa shenjat të zhdukeshin. Më pas më sillte meshkuj të tjerë, shokë, nuk e di kush ishin. Ishin thjesht kafshë që donin të kënaqnin vetveten

“, thotë Luljeta.

“Nisi të bëhej agresiv. Nisën të më mbyllnin në shtëpi. Më kërcënonin mua dhe fëmijën tim nëse nuk bëja atë që më thonin ose përpiqesha të largohesha”,

rrëfen Besjana.

Sipas reportazhit, vajzat e reja bien në kurthin e trafikantëve kryesisht me premtimet për martesë dhe një jetë më të mirë. Ndërsa të miturit shfrytëzohen kryesisht për të larë automjetet. Në total, numri i të trafikuarve për vitin 2017 arriti në mbi 5 mijë, gjysma e të cilëve shfrytëzohen në kushte skllavërie.

Tv Klan