Policia në Sllovaki kishte paralajmëruar homologët në Austri për një sulm të mundshëm me armë. Mediat ndërkombëtare bëjnë me dije se pak muaj më parë një prej autorëve të sulmit në Vienë, kishte shkuar në Sllovaki për të blerë municion por ishte kthyer duar bosh.

Ndërkohë mësohet se policia sllovake kishte njoftuar zyrtarët në Austri për këtë tentative për blerje municionesh. I riu me orgjinë nga Maqedonia e Veriut, Kujtim Fejzullai, nuk kishte mundur të merrte municion për kallashnikovin AK-47 pasi nuk kishte një licencë.

Shërbime në Austri kanë pasur informacion për këto lëvizje që në Korrik, por duket se nuk janë marrë masat e duhura.

Nga ana tjetër pas sulmit policia në Austri ka nisur hetimet dhe njofton se janë arrestuar dhjetëra persona të dyshuar si të përfshirë në atentatin terrorist. Sulmi në qendër të Vienës ndodhi të hënën në mbrëmje, ku mbetën të vrarë 4 persona dhe 23 të tjerë u plagosën./tvklan.al