Më 1 Korrik Sllovenia mori udhëheqjen gjashtëmujore të BE-së. Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansa u zotua të martën se do të shtyjë përpara përpjekjet për përshpejtimin e procesit të integrimit për vendet e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Ai deklaroi se nëse nuk e realizojmë këtë, këto veprime do të merren nga të tjerë që kanë interesa të ndryshme.

 “Nëse nuk jemi të aftë ta realizojmë këtë, nëse nuk bëjmë një hap përpara në Ballkanin Perëndimor, atëherë këto veprime do të ndërmerren nga dikush tjetër, nga dikush që ka interesa dhe vlera të ndryshme”.

Jansha premtoi se po planifikon të organizojë një samit midis udhëheqësve të 27 vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në muajin Tetor të këtij viti si një përpjekje për të fuqizuar raportet.

Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mirëpriti deklaratën e Kryeminstrit slloven, duke thënë se samiti i Tetorit do të “dërgojë një mesazh të rëndësishëm se këto vende janë partnerë thelbësorë strategjikë” te BE.

Që nga viti 2019 procesi i integrimit ka ngecur, pasi disa vende anëtare të kryesuara nga Franca, bllokuan nisjen e negociatave për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Ndërkohë që të dy vendet kanë realizuar objektivat e vendosura dhe në Qershor u duk se do të kishte një konferencë ndërqeveritare, ishte Bullgaria që u bë pengesa kryesore për përparim, pasi ajo refuzoi të japë dritën jeshile për Maqedoninë e Veriut për të filluar negociatat për shkak të disa mosmarrëveshjeve për identitetin dhe historinë.

Gjatë pandemisë Rusia dhe Kina kanë rritur përpjekjet e tyre për të ndikuar në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke dërguar miliona vaksina të koronavirusit në rajon.

Prandaj Brukseli është i shqetësuar për rritjen e ndikimit rus dhe kinez në ato vende, të cilave iu eshte premtuar se kanë një rrugë të qartë drejt integrimit evropian.