Kryeministri i vendit, Edi Rama thotë se nuk mund të survejohen partitë politike në një proces elektoral. Gjatë fjalës së tij në bashkëbisedim “Sy m’Sy” me qytetarët në rrjetet sociale, Rama uron që kjo të jetë një lajthitje e momentit dhe menjëherë të ndalet çdolloj survejimi në territor. Rama shton se përpjekja e përbashkët për të luftuar edhe për krimet elektorale bëhet secili në pozicionin kushtetues dhe në llogoren e vet.
Edi Rama: Nuk ka alternativë tjetër përveç një drejtësie të pavarur profesionale dhe që respekton me integritet liritë dhe të drejtat e njeriut. Të pavarurën e kemi tanimë para syve, profesionalen duhet të luftojmë të gjithë së bashku që ta konsolidojmë sepse ka shumë gjëra pozitive, por dhe edhe negative. Edhe një rast i vetëm negativiteti kur shkatërrohet jeta e një njeriu për budallallëk profesional, është shumë. Nga ana tjetër, respektimi i standardeve demokratike i një drejtësie evropiane që nuk mund të justifikojë qasje dhe metoda të Sigurimit të Shtetit është një tjetër betejë për t’u bërë, por në mënyrë konstruktive si aleatë dhe partnerë të drejtësisë. Patjetër edhe në mënyrë shumë të vendosur.
Nuk mund të cënohen të drejtat e pushtetit ekzekutiv, nuk mund të cënohen të drejtat për të marrë vendime, nuk mund dot të survejohen partitë politike në një proces elektoral. Unë uroj që kjo të jetë një lajthitje e momentit dhe menjëherë të ndalet çdolloj survejimi në territor sepse nuk mundemi të kthehemi në kohë kaq të errëta saqë kush merret me politikë të survejohet. Përpjekja e përbashkët për të luftuar edhe për krimet elektorale bëhet secili në pozicionin kushtetues dhe në llogoren e vet. Dalja nga këto pozicione është ndërhurje flagrante në liritë dhe të drejtat politike të shqiptarëve. Ajo që mbetet është domosdoshmëria për ta mbështetur fuqimisht drejtësinë që të bëjnë punën e tyre.
/tvklan.al