Socialistët kanë akuzuar menjëherë liderin demokrat Sali Berisha se ka shkelur marrëveshjen me deklaratat e tij kundër qeverisë dhe zonjës Leskaj. Sipas sekretarit të partisë për marrëdhëniet publike Bardhyl Agasi Berisha nuk iu përmbajt kësaj marrëveshje duke ju rikthyer sulmeve të vjetra.

Bardhyl Agasi: Për fat të keq duhet pranuar gjithashtu se më duket se kjo marrëveshje po cenohet dhe jo për faj të Partisë Socialiste. Por po ndihet kjo krisje përmes deklarimeve qoftë të seancave të fundit parlamentare gjithashtu edhe në ato të zotit Berisha veçanërisht për zonën 52 të Elbasanit. Ai përmend për vjedhje hajdutët e PS-së arrin edhe në akuza bajate edhe ndaj qeverisë duke e quajtur edhe atë mafioze, domethënë nuk mund të mendohet që kur je në një marrëveshje të përdorësh një fjalor të tillë dhe vërtet cenohet kjo marrëveshje.

Nga ana tjetër Agasi ka pranuar kërkesën e socialdemokratëve për bashkëpunim. Bisedimet mes dy partive pritet të fillojnë muajt e parë të vitit 2003.

Bardhyl Agasi: Dhe është në interes jo vetëm të partisë Socialdemokrate por edhe të Partisë Socialiste që të kenë një bashkëpunim sa më të ngushtë dhe jo vetëm në kohë fushate zgjedhore./tvklan.al