Balla: Ndezim motorrët për fitoren e zgjedhjeve lokale dhe mandatin e katërt qeverisës

Mandati i tretë qeverisës që morën në 25 Prill nuk ia ka zbehur aspak dëshirën e fitores për betejën e radhës në zgjedhjet lokale. Madje pritshmëritë e socialistëve shkojnë edhe për një mandat të katërt qeverisës.

Motorrët e fushatës kanë vendosur t’i ndezin menjëherë pas Kongresit, që përkon me 30-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste.

“Procesi fillon nga 15 Qershori e deri më 15 Janar 2022, për të garantuar që në Pranverën e 2022 e gjithë struktura e PS t’i përgjigjet pritshmërisë së kryetarit Rama dhe gjithë kolegëve të tjerë, që jemi drejtues rajonalë të PS, në përgatitjen e zgjedhjeve vendore të 2023, për të fituar mandatin e 4 në 2025, një parti politike si e jona hyn në çdo palë zgjedhje për t’i fituar. Fituesit dhe humbësit e SHQUP-it e kanë kuptuar që nëse do të fitosh zgjedhjet e ardhshme përgatitja nis menjëherë pas zgjejdheve të radhës”.

Jo vetëm festë por edhe prezantim të vizionit “Shqipëria 2030” do jetë ajo ç’ka do të ofrojë Kongresi i socialistëve.

“Do të jetë prezantim i përmbledhur i objektivave e programit tonë për mandatin qeverisës që do të jetë dhe boshti që qeveria Rama do të prezantojë në Shtator në Kuvend”.

Punimet e Kongresit socialistët do t’i mbajnë në orën orën 17:30 të së shtunës në stadiumin “Air Albania”.  Pjesa e parë e tij është konceptuar si një dokumentar rrugëtimi i Partisë Socialiste në 30 vite. Nuk do të mungojnë përshëndetjet si dhe mesazhet e kontributorëve, themeluesve dhe figurave me peshë në 3 dekada.

Prezantimin e patformës me fokus katër vitet e qeverisjes për një vizion të Shqipërisë deri në 2030 do ta bëjë Kryeministri Rama në pjesën e dytë të punimeve të Kongresit.

Pjesa e tretë e punimeve të Kongresit i është lënë miratimit të vendimeve që mori Asambleja e Partisë Socialiste, duke nisur nga analiza e zgjedhjeve, për të kaluar në skaner cilindo që nuk arriti të përmbushë objektivat në 25 Prill.

Pas analizës të gjithë ata drejtues që performuan dobët do të kalojnë në zgjedhje, proces që do të nisë në 15 Qershor për t’u përmbyllur në 15 Janar.

Tv Klan