Ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, ka kritikuar autoritetet maqedonase për shkeljen e të drejtave të pakicës bullgare, që jeton në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se “është e papranueshme që në Maqedoninë e Veriut, në shekullin 21, të mos njihet e drejta e vetëvendosjes”.

“Ne reagojmë në çdo rast dhe shpresojmë që të mos ndodhë më. Mbi 100,000 qytetarë kanë shtetësi bullgare dhe nganjëherë frikësohen të deklarohen. Është e papranueshme që në shekullin 21 të mos njohësh të drejtën e vetëdeklarimit”, ka thënë të martën shefja e diplomacisë bullgare në një intervistë për televizionin shtetëror bullgar (BNT).

Duke folur për politikën bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut, Zaharieva ka thënë se Bullgaria ka një politikë të qëndrueshme ndaj Shhkupit dhe ka kërkuar drejtësi për bullgarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut.

“Ne jemi shumë konsistentë në politikë. Disa njerëz atje ishin shumë të befasuar që i thamë ‘jo’ kornizës së negociatave [midis Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian]. Sidoqoftë, pozicioni i Bullgarisë është i njëjtë që nga viti 2019. Ne besojmë se ka një përmbushje të ngadaltë ose mungesë të përmbushjes së detyrave nga pala maqedonase, sa i përket Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë me Maqedoninë e Veriut. Më parë, kishte lëvizje në të gjitha sferat, por që nga fillimi i vitit 2019, kur ata u bënë anëtar i NATO-s, ka ngecje në përmbushjen e obligimeve”, ka deklaruar Zaharieva.

Deklarata e saj ka ardhur pas një takimi të presidentit bullgar, Rumen Radev, dhe krerëve të shërbimeve të sigurimit të Bullgarisë për, siç është thënë, “mbrojtjen e pakicës bullgare në Maqedoninë e Veriut”.

Kreu i shtetit bullgar ka thënë se “institucionet duhet të marrin masa me kohë, për t’i mbrojtur në mënyrë adekuate të drejtat e shtetasve bullgarë jashtë vendit, kur ata sulmohen vetëm për shkak të vetëdijes së tyre kombëtare”.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i ka mohuar akuzat e Sofjes, duke theksuar se “askujt në vend nuk i janë shkelur të drejtat, madje as qytetarëve që deklarohen si bullgarë”.

“Edhe pse në Kushtetutë nuk kemi bullgarë etnikë, të gjithë mund të përcaktohen në regjistrimin e popullsisë, sepse pyetja do të jetë se cilës bashkësi etnike i përkisni. Ne jemi një komunitet shumetnik, ne i respektojmë të drejtat e të gjitha komuniteteve në vend, madje edhe të atyre më të vogla”, ka deklaruar Zaev, duke i komentuar akuzat e palës bullgare.

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria i kanë ftohur raportet që nga nëntori i vitit të kaluar, kur Bullgaria e ka bllokuar kornizës e negociatave midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, deri në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që kanë të bëjnë me gjuhën, identitetin dhe aspektet historike./REL