Roboti i vogël, Pepper, që ngjasonte me njeriun nuk do të prodhohet më. Prodhimi i tij nisi me bujë në vitin 2014, por tashmë kompania ka vendosur që të mos vijojë më prodhimin për një kohë të pacaktuar.

Prodhuesi japonez SoftBank, konfirmoi për BBC se prodhimi është ndalur, pa treguar shkaqet që ndikuan për të marrë këtë vendim. Po ashtu u konfirmua se prodhimi do të vijojë kur kjo gjë të jetë e nevojshme.

Kompania po ashtu po shkurton vendet e punës dhe rreth 330 punëtorë mund të humbasin punën e tyre. Që nga prodhimi i robotit të parë, janë shitur 27 mijë të tillë me një çmimit prej 1,790 Dollarë.

Roboti u përdor kryesisht si një mjet kërkimor dhe arsimor për shkolla, kolegje dhe universitete. Eksperti i robotikës Prof Noel Sharkey lidhur me këtë vendim të kompanisë tha se ishte shumë i kënaqur.

Sipas tij “roboti Pepper bëri shumë për të dëmtuar kërkimin e mirëfilltë të robotikës duke dhënë një përshtypje shpesh të rreme”. Pepper për vite me radhë arriti që të fitonte të gjithë vëmendjen dhe shihej si një arritje e madhe për shkencën./tvklan.al